18 Tetor, 2021 - 10:20 pm
Ikona 95 vjeçare e muzikës, Tony Bennett vazhdon të bëjë për vete dashamirë të muzikës nga e mbarë bota. Ai di si të bëjë që muzika e tij të dëgjohet.
Ky fitues i 20 çmimeve Grammy theu rekordin botëror për librin e Ginisit. Ai kësaj radhe theu rekordin në kategorinë “këngëtari më i moshuar që lansoi album me këngë të reja”, për albumin “Love for Sale”.
Kënga e tij e cila po ashtu mban emrin e albumit, të cilën e realizoi në bashkëpunim me këngëtaren Lady Gaga, u lansua me 1 tetor 2021.
Gaga në një deklaratë për media me këtë rast ka thënë se përkundër asaj se kanë 60 vite diferencë në moshë, kur performon pranë tij gjen inspirim.
Ajo ka thënë se sa herë këndon me Bennett, në të sheh një djalë, dhe kjo e bën të mahnitshme përvojën e të kënduarit. Ajo ka thënë se dy shpirta këndojnë bashkë. Por ajo, po ashtu ka thënë se njëkohësisht përfiton nga përvoja e tij shumë vjeçare në këndim.
Për Bennett dhe Gagan, ky nuk është albumi i parë në të cilin bashkëpunuan. Ata edhe në vitin 2011 realizuan këngën “The Lady is a Tramp”, ndërkaq tri vite më vonë lansuan albumin e titulluar “Cheek to Cheek”.
Natyrisht se ky nuk është as rekordi i parë që arriti Bennett me këtë album në karrierën e tij 70 vjeçare. Sipas librit të rekordeve, Ginis, ai ka thyer katër rekorde, përfshirë këtu: rekordin për personin më të moshuar që ka arritur të kryesojë toplistën e albumeve në SHBA me albumin “Cheek to Cheek”, personi më i moshuar që u vlerësua në toplistën e 20 albumeve më të mira në Britani me “Duets: An American Classic”, kur ishte 80 vjeç, dhe kohën më të gjatë në mes lansimeve të një incizimi origjinal dhe riincizimit të tij nga një artist.
Veç si këngëtar, Bennett është edhe piktor. Ai ka krijuar disa punime artistike të cilat janë ekspozuar në disa institucione.
Bennett është themeluesi i shkollës së artit Frank Sinatra në Astoria, Queens, New York./KultPlus.com