1 Gusht, 2023 - 1:33 pm
Arlinda Hajdaraj
Trashëgimia e Nexhmije Pagarushës është e pashmangshme për të ardhmen e muzikës në vendin tonë. Andaj, ajo nuk kishte si të mungonte edhe mbrëmë në një nga ngjarjet më të mahnitshme të muzikës në vendin tonë, në Rame Lahaj International Opera Festival që mbrëmë edhe përmbylli edicionin e 3-të, shkruan KultPlus.
Magjia e këngëve të Nexhmije Pagarushës, erdhi fuqishëm nga pesë artistë shqiptarë. Melodi që të prekin shpirtin, këngë që të kthenin pas në kohë e interpretime që të linin pa frymë, bashkë me një prezencë madhore të publikut që kishin ardhur për të treguar respektin e tyre ndaj trashëgimisë muzikore të saj, u bënë ajka e kësaj mbrëmje.
Hapjen e festivalit e bëri Keli Band, (Brikel Guga – Saxophone, Emillian Dhimo – Drums, Roni Gjura – Doub/bass dhe Genti Shahini – Keyboard), një grup muzikor i talentuar që përfshinte muzikantë profesionistë që bashkuan forcën e tyre për të krijuar një përvojë unike muzikore. Ata sollën në mënyrë të mahnitshme këngën ‘Baresha’, të të madhes, Nexhmije Pagarusha. Ende pa kaluar tek këngët e tjera, ishin tingujt e kësaj kënge që çuan në këmbë publikun duke transmetuar emocione të forta tek ta.
Në vazhdim, këngët e Pagarushës, të cilat janë një pjesë e çmuar e kulturës muzikore shqiptare, u paraqitën në një formë të paparë deri më tani. Interpretimi i tyre i ri, i frymëzuar nga tingujt e ‘blues’ dhe ‘jazz’, sollën një dimension të ri emocional në këto vepra të njohura. Zëri i bukur dhe i fuqishëm i artistëve solistë i bëri këto këngë të rrëfejnë përsëri historinë e tyre me një pasion të jashtëzakonshëm.
Kaltrina Miftari, Adhurim Grezda, Ardiana Bytyqi, Gerald Murrja dhe Besarta Murtezani, ishin pesë artistët që na rikthyen edhe njëherë ikonën e muzikës shqiptare, me zërin e tyre të magjishëm.
Me ‘Një lule’ të Pagarushës, të kënduar me plot pasion nga Kaltrina Miftari, u nis mbrëmja e kësaj nate. Miftari, këndoi edhe një këngë tjetër menjëherë pas të parës, të titulluar ‘Sytë për ty i kam të njomë’. Këngëtare e re, por që me zërin e saj unik na ktheu pas në të kaluarën, tek muzika e ‘vërtetë’ që koha e sotme rrallëherë e ka.
Pas Miftarit, skenës i’u bashkua edhe Ardiana Bytyqi, që me zërin e saj bëri për vete gjithë pjesëmarrësit, sa që edhe duartrokitjet zor i mbanin për fund, por me ngulm përcollën gjithë interpretimin e saj.
Bytyqi, këndoi dy këngë të njëpasnjëshme, duke e nisur me ‘Hopa nina na’ e duke e përfunduar me “Gitarja”.
Veçantia iu dha kësaj nate edhe me hyrjen e tenorit, Gerald Murrja në skenë, i cili këndoi fuqishëm këngën “Mërgimtari”. Kjo këngë preku telat e zemrës së publikut, e sidomos shqiptarëve nga diaspora, të cilët e mbindjejnë më së miri atë.
Amfiteatri i Bibliotekës Universitare i tejmbushur me prezencën e njerëzve, bëri q ëshumë nga ta të qëndronin në këmbë. Përkundër koncertit dy orësh, publiku nuk u lodh as me qëndrimin në këmbë, përkundrazi po e shijonte koncertin në maksimum.
Në fund, skenës iu bashkuan edhe sopranoja, Besarta Murtezani dhe baritoni, Adhurim Grezda.
‘Kur më shkon si zog n’hava’ dhe ‘Pse më tradhton’, kënduar nga Besarta Murtezani dhe kënga ‘I dehur jam’, interpretuar fuqishëm nga Adhurim Grezda, e emocionuan edhe më fort publikun.
Krejt për fund, të gjithë artistët bashkë, zunë vend në skenë për të sjell një kolazh këngësh.
‘Kur një ditë të kthehesh ti’, ‘Hajde dalim nga pazari’, ‘Mora testin’, ‘O moj bukuroshe’, ‘Perëndeshë e bukur je’, ‘Çil njat’ zemër plot kujtime’ dhe ‘Prishtinë e dashur’, ishin të shtatë këngët e kënduara bashkërisht nga të pesë muzikantët që mahnitshëm shënuan edhe mbylljen e edicionit të tretë të Festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’.
Pas përfundimit të festivalit, me emocionet më të forta, për KultPlus foli tenori Gerald Murrja, i cili u shpreh mjaftë i lumtur për pjesëmarrjen e tij në një ngjarje të tillë.
Është një nder dhe krenari e madhe që kemi pasur një artiste kaç të madhe si Nexhmije Pagarusha. Fati jonë i madh është që Ramë Lahaj na ka mbledhë të gjithëve bashkë, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia ashtu edhe artistët ndërkombëtarë’, u shpreh Murrja i cili tutje tha që është një ndjesi fantastike kur shihet se si emri i Kosovës ngrihet sa më lartë nëpër botë.
Nata e mbrëmshme nuk ishte hera e parë e Gerald Murrjës në festivalin ‘RLIOF’ andaj kjo pritje kaç e madhe e publikut për të nuk ishte befasi, por ishte diçka e shijuar edhe më parë.
“Unë kam qenë edhe vitin e kaluar si pjesë e Masterclassit, por edhe në natën kushtuar Nexhmije Pagarushës. E di që në Kosovë të gjithë e kanë idhull Nexhmije Pagarushën, kështu që e prisja këtë atmosferë, madje prisja edhe më shumë, që të rrinin njerëzit edhe nëpër ambientet e jashtme”, përfundoi Murrja.
Pas Murrjës, për KultPlus foli edhe baritoni, Adhurim Grezda, i cili njëjtë si Murrja, kishte qenë edhe më herët i pranishëm në festivalin e Ramë Lahajt, dhe se edhe për të ishte e pritshme një atmosferë e tillë.
“Gjithmonë është kënaqësi pjesëmarrja në një festival të tillë, në këtë rast, në një mbrëmje të veçantë për mbretëreshën e këngës shqipe, tashmë të ndjerë, Nexhmije Pagarushës. Për mua nuk është hera e parë që prezantohem në këtë festival, pasi që prej edicionit të parë kam qenë pjesë e tij”, u shpreh Grezda.
Ky koncert, me interpretimin unik të këngëve të Nexhmije Pagarushës, tregoi se muzika ka fuqi të paimagjinueshme për të lidhur brezat dhe kufijtë kulturorë, duke shënuar një frymë të re dhe inovative në skenën muzikore shqiptare.
Edicioni i 3-të i Rame Lahaj International Opera Festival i cili nisi më datë 21 korrik, do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që ishin pjesë e tij. / KultPlus.com