Tre artistë virtuozë i bashkohen atmosferës së Fundvitit me koncerte në Tiranë

12 Dhjetor, 2024 - 5:19 pm

Dy artistë të zëshëm të skenës shqiptare, Fatos Qerimi dhe Rudina Ciko janë protagonistët e koncertit të së dielës së 15 dhjetorit në Katedralen Ortodokse në Tiranë, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Pianodrom”.

Si çdo vit, “Pianodrom” ka menduar të entuziazmojë publikun duke shtuar atmosferën e festave të fundvitit me disa aktivitete.

I pari sjell Fatos Qerimin, një reaktor energjie dhe Rudina Cikon pianiste e fluturimit mbi tastierë. Të dy artistët janë të njohur ndërkombëtarisht dhe do të interpretojnë për publikun kryeqytetas.

“Pianodrom” vjen për publikun me aktivitete të shtrira në disa data për të mbledhur sa më shume dashamirës të muzikës dhe për të qenë edhe pjesë e atmosferës së festave.

Festivali vijon me koncerte më 21 dhjetor ku vjen Kosti Deti me recitalin “Tingujt e shpirtit”.

Kosti Deti  është cilësuar nga kritika si “Vullkani Shqiptar“. Pianisti shumë  i suksesshëm shqiptar me famë ndërkombëtare që ka ndezur publikun në teatrot nacionale të Europës, dallohet për origjinalitetin e tij në lojë, ekspresivitetin e zjarrtë, komunikimin shpirtëror ndërmjet  instrumentit dhe publikut, fuqinë tajfuniane emocionale dhe virtuozitetin te tij të jashtëzakonshëm.

Në të dyja koncertet pritet të interpretohen diamante të muzikës klasike, pa asnjë dallim nga sallat e koncerteve në Evropë.

Pianodrom vlerësohet si pol i kulturës dhe festivali më i madh në Shqipëri i modernizimit të kompozicionit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme