29 Prill, 2018 - 4:38 pm
Sarandë Selimi
Rruga për në Vuno, fshati i cili ishte nikoqir i sivjetmë i South Outdoor Festival, mbrëmjen e së shtunës u stërmbush me njerëz nga të gjitha trojet shqiptare. Përveç lojërave, panaireve, sporteve të ndryshme e plotë gjërave të tjera që solli edicioni i dytë i këtij festivali, orët e mbrëmjes ishin rezervuar për një koncert të madh.
Koncert që do mbahet mend gjatë nga të pranishmit e shumtë që në njëfarë mënyre u bënë pjesë e asaj skene gjigante që në të ndodheshin tre emra të mëdhenj të muzikës shqiptare. Të gjithë të paktën një herë në tërë këto vite i kemi dëgjuar. Të gjithë patjetër që edhe në një ditë vere e kemi kënduar “Ditë dimri”. E padyshim që edhe i kemi admiruar për stilin, mënyrën e afërsisë dhe dashurisë që dhurojnë për adhuruesit e tyre.
Kapela e veçantë nuk i mungoi Sandrit, me të cilin emër e ftoi në skenë Toni, ku këtë kështu e quajti Redo. Emra të shkurtër me të cilët thirrin njëri tjetrin tre miqtë. Tashmë padyshim që kuptohet se për kë është fjala. Publiku që kishin ardhë në një numër jashtëzakonisht të madh e që e gjithë rruga ishte zënë me veturat e tyre, sepse parkingu ishte i vogël për fansat e atyre që mrekulluan këtë edicion të South Outdoor Festival, duartrokiti fort e nuk hezitoi të këndojë bashkë me “Tre musketierët”.
“Kuturu”, “Zemra e një gruaje”, “Qyteti i vjetër” “Na lini të jetojmë”, “Rock n’roll”, “Nuk kërkoj tjetër njeri”…nën tingujt e kitarës elektronike e bateritë e pianos elektronike të Elton Dedës, erdhën mrekullisht përmes zërit të mrekullueshëm të Aleksandër Gjokaj, Redon Makashit dhe Elton Dedës.
“Ejani këndojmë së bashku” ishte një nga thirrjet e bëra nga musketierët. Jo vetëm kjo, ata komunikonin mjaft shumë me publikun dhe me batutat e tyre atmosfera sa shtohej e këngët e fuqishme futeshin thellë në muret e shtëpive që ishin ndërtuar me gurë në fshatin Vuno. Aroma dhe flladi i lehtë i kësaj pranvere u bashkua me tingujt e fuqishëm nga instrumentet.
Ky koncert i mahnitshëm mbajti dy orë në skenë Elton Dedën, ndërsa Aleksandër Gjokaj e Redon Makashi herë dilnin së bashku e herë pushonin ngapak. Krejt kjo për arsye që secili t’i këndojë hitet e tij. Minutë pas minuti e atmosfera sa vinte e bëhej më e fortë. Kulmi i krejt kësaj mrekullie erdhi me këngën “Ditë Dimri”. Publiku, ata që ishin ulur u ngritën në këmbë që të shijonin edhe më shumë dy këngët që përmbyllën krejt këtë magji që ndodhi në Vuno. “Ditë Dimri” dhe “Na lini të jetojmë”, ishin këngët që përmbyllën koncertin që nisi në orën 20:00, të shtunën e 28 prillit.
“Tre musketierët”, i përshëndetën ata dhe i lanë të largohen në rrugën e gjatë të Vunos në Jugun e Shqipërisë. South Outdoor Festival, që këtë vit mbajti edicionin e dytë të tij, bëri këtë fshat epiqendër të shumë turistëve shqiptarë, kosovar e ndërkombëtar të cilët i dhanë një pamje edhe më të bukur krejt kësaj.
Ekipi i KultPlus, përcjelli nga afër edicionin e dytë të South Outdoor Festival, i cili vitin e ardhshëm do të ndalet në një fshat tjetër të Jugut të Shqipërisë, por për cilin bëhet fjalë duhet të presim edhe 1 vit./ KultPlus.com