19 Shtator, 2022 - 12:00 pm
Koncerti i përvitshëm me pjesë të zgjedhura operistike, “Tre Tenorët”, këtë vit është rikthyer në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, duke u transformuar në “Tre Tenorët për Ukrainën”, me mesazhin “Artistët për Artistët”. Koncerti me producent Edmond Tullumanin, mblodhi në një natë, këngëtarë e muzikantë nga Ukraina, Shqipëria e vende të tjera.
Mbrëmja nisi me fjalën e producentit Tullumani dhe ambasadorit të Ukrainës në Tiranë, Volodimir Shukrov.
Tre tenorët që kënduan në TKOBAP ishin Mykhailo Malafii nga Ukraina, Klodjan Kaçani nga Shqipëria dhe Vitaliy Kovalchuk nga Ukraina, të cilët u shoqëruan nga orkestra sinfonike e përbërë me artistë shqiptarë dhe ukrainas dhe që dirigjohej nga Leonardo Quadrini, i ardhur nga Italia. Gjatë koncertit interpretuan si të ftuar, sopranoja Ramona Tullumani dhe Genc Tukiçi në piano.
Koncerti “Tre tenorët për Ukrainën” pati mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe të Bashkisë Tiranë. /atsh/KultPlus.com