25 Qershor, 2019 - 9:27 am
Nga Klotilda Saraçini
Violinisti Florian Vlashi ka kremtuar në mënyrë krejt origjinale Ditën Ndërkombëtare të Muzikës (21 qershor) në Spanjë, duke u bërë ideator dhe protagonist i tri koncerteve, të cilat nisën paradite dhe përfunduan në mbrëmje vonë.
Herë si solist, e më pas edhe si dirigjent, instrumentisti nga Durrësi interpretoi partitura nga më të bukurat e krijimtarisë botërore, fillimisht në trenin e linjës La Coruna – Santiago, më pas në shtëpinë Muze të Pikasos si dhe në Bibliotekën Duran Loriga.
Florian Vlashi ka përfunduar kështu 16 koncertet personale të këtij sezoni artistik, koncerte që shpalosin intensitetin e punës së tij jo vetëm si anëtar i Orkestrës Simfonike të Galicisë, por edhe veprimtarinë si koncertist solist, dirigjent, pedagog dhe lektor universitar.
Një kuartet harqesh në trenin La Coruna – Santiago de Compostela
Tv lokale dhe kritikët spanjollë, të cilët e ndoqën itinerarin muzikor të 56-vjeçarit shkruajtën të nesërmen se “në morinë e shumë shembujve të talentit të tij, violinisti shqiptar Florian Vlashi ka dhe një kapacitet të madh për nisma dhe risi”.
Kritiku muzikor Julio Andrade Malde në artikullin e tij të gazetës “La Opinion” rikujton se Vlashi dy vjet më parë ka interpretuar me ansamblin e themeluar prej tij “Shekulli XX” veprën e Steve Reich “Different Trains”, suksesi i të cilit e ka inkurajuar violinistin ta ripërsërisë këtë përvojë në vagonin nr.3 të linjës La Coruna – Satiago, së bashku me kolegët e tij Mihai Tanasascu, Raymond Arteaga, Ruslana Prokopenko.
“Kompozitori sjell në këtë partiturë trenat që udhëtonte gjatë fëmijërisë së tij nga një breg në tjetrin në SHBA për të parë nënën; ndërkohe trenat nazistë udhëtonin drejt kampeve të përqendrimit për shfarosjen e miliona hebrenjve, romëve dhe homoseksualëve” – nënvizon Andrade.
Udhëtarët e kësaj linje nuk kanë lëvizur nga ndenjëset, as kur treni mbërriti në destinacionin e fundit, ndërsa katër instrumentistët nuk kanë hezituar të luajnë përsëri edhe në rrugëtimin e kthimit drejt Corunës, çka e ka shtuar edhe numrin e kureshtarëve që kanë preferuar të udhëtojnë thjesht për të dëgjuar katër instrumentet e mjeshtrave të interpretimit.
Në shtëpinë muze të Pikasos, koncerti i parë me muzikë klasike
“Një tjetër vend i pazakontë për një koncert solistik (nga Florian Vlashi) ishte Muzeu në Shtëpinë e Pikaso shkruan Andrade në artikullin e tij të së dielës, duke shtuar: Është pothuajse e sigurtë që ishte hera e parë që organizohej një koncert i muzikës klasike.
Salloni i reduktuar është i favorshëm për të dëgjuar një koncert violinë solo; zgjedhja (nga instrumentisti Vlashi) e veprave secila prej tyre shumë e vështirë bazohet në një marrëdhënie mes kompozitorëve dhe Pikasos; kompozitori Quiroga ishte një mik i tij, dhe gjithashtu kishte një miqësi me Ravelin.
Nga autori pontevedrez ishte zgjedhur “Emigrantët keltë” dhe nga Raveli “Dy melodi hebraike” Enigma e përjetshme dhe Kádish, version për violinë solo realizuar nga vetë Florian Vlashi.
Vepra e Kurtag-ut janë një seri interesante pjesësh të shkurta që kompozitori nëntëdhjetëvjeçar hungarez kishte krijuar gjatë viteve.
Shtëpia Muze e Pikasos ndodhet në katin e dytë të një pallati, pranë qendrës së La Corunës. Pikaso kaloi katër vite që patën një rëndësi themelore në fëmijërinë e tij (1891-1895) aty ku u formua si person dhe artist. Këtu filloi shkollën dhe pikturën duke realizuar dhe ekspozitat e para.
Në Bibliotekë me ansamblin Camerata Brigantina
Florian Vlashi nuk e heq violinën nga dora edhe në mbrëmje vonë, kur ngjitet në podin e drejtimit muzikor të ansamblit të të rinjve “Camerata Brigantina” me vepra nga Albinoni, Vivaldi, Moxarti dhe Jenkinsi. Koncerti i tretë dhe i fundit i 21 qershorit, ka në qendër interpretuesit e rinj.
Duke analizuar të tri përvojat e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës 2019, kritiku i njohur Andrade vijon: “Ambienti më i gjerë i zgjedhur nga të tre koncertet, ishte pa dyshim salla e Bibliotekës Duran Loriga; më e gjera, po; por jo më e mirë: prania e harqeve të kolonave krijon hapësira që shkaktojnë jehonë, kështu që shpesh tingujt krijonin konfuzion në eko gjë që nuk lejonte të dëgjuarit e pastër të linjave. Kjo gjë nuk prekte Vivaldin por vetëm Mozartin (E çuditshme!) – shkruan specialisti i muzikës klasike. Sipas kritikut të njohur, Camerata Brigantina është përzierje e përvojës dhe e rinisë, e kënaqi shumë publikut. Tre solistet e reja, të jashtëzakonshme: Buruktavit Martins, Valeria Martinez dhe Ana Molina. /KultPlus