27 Nëntor, 2019 - 11:00 am
Turneu (dikur i pamundur) i ribashkimit në të cilin ikonat e “Guns N’ Roses”, Axl Rose, Slash dhe Duff McKagan interpretojnë përsëri së bashku, është turneu i tretë më fitimprurës i të gjitha kohërave, raportoi Billboard.
I titulluar “Not in This Lifetime”, sipas një përgjigjeje që Rose e kishte dhënë dikur në pyetjen për bashkëpunimin e sërishëm me Slashin – dhe i cili u hap me thyerjen e këmbës së Rose në koncertin e parë – turneu filloi në vitin 2016 dhe përfundoi më 3 nëntor. Në këtë periudhë bendi ka shitur 5,371,891 bileta dhe ka fituar 584.2 milionë dollarë nga 158 koncerte, shkruan KOHA Ditore. Ed Sheeran e mban vendin e parë me 775 milionë dollarë bruto fitime gjatë turneut të tij “Divide” në mes viteve 2017-2019, dhe U2 mbetet në vendin e dytë me turneun e tyre 360º, i cili i inkasoi 736 milionë dollarë midis viteve 2009-2011.
“Turneu i kishte rrënjët në Amerikën e Veriut, me 87 nga 158 koncerte (55%) duke u mbajtur në SHBA, Kanada dhe Meksikë,” vuri në dukje Billboard. “Por kishte edhe vizita të shumta në Evropë (31 koncerte), Azi (16) dhe Amerikën e Jugut (15), plus tetë koncerte në Australi dhe një në Johannesburg të Afrikës së Jugut.” Me më shumë kohë në Amerikën e Veriut, bendi ishte në gjendje të mbante një përzierje më të barabartë në stadiumet dhe arenat, në krahasim me performimet më të shpejta në vetëm stadiumet ndërkombëtare. Turneu i tyre në kontinentin amerikan arriti në 258.5 milionë dollarë dhe 2.3 milionë bileta të shitura, ende shumë larg nga ai i Evropës me 166.1 milionë dollarë.”
Guns N ‘Roses i fitoi më shumë se 10 milionë dollarë në një angazhim të vetëm pesë herë, dhe i shiti më shumë se 100.000 bileta për një angazhim të vetëm në katër raste. Më e suksesshmja prej tyre ishte ndalesa e tyre dynetëshe në London Stadium, Britani, në qershor të vitit 2017, ku i fituan 17.7 milionë dollarë dhe i shitën 140,877 bileta.
Bendi pritet ta kthejë vëmendjen tek albumi i tyre i parë që nga “Chinese Democracy” i vitit 2008. “Është folur shumë për këtë album të Guns N’ Roses, në të cilin ne nuk kemi bërë asgjë,” tha kitaristi Slash në prill. “Pra, do të përqendrohemi në këtë drejtim.” /KultPlus.com