27 Shtator, 2018 - 5:45 pm
Diku e dikur në Dukagjin, ka jetuar Uka, një njeri i rëndomtë, që nuk lakmonte të huajën, që nuk ia mendonte askujt të keqen. Ai ishte asket i kohëve moderne, model i nderit dhe i moralit. Por, jeta e shpërbleu me vuajtje dhe dhembje.
Kënga që i dedikohet atij, “UKA”, është finalizuar më 2010, por për herë të parë është e qasshme tash, për secilin që ka dëshirë ta dëgjojë. Muzika, teksti dhe aranzhmani janë bërë nga Agron Shala. Këtë këngë Shala ia dedikon dajës së tij – Ukës së urtë, të ndershëm e të pafat. Në vokale janë BB Poqi dhe Ismet Azemi. Ndërsa, në kitarë është MV Muha, që po ashtu ka bërë miksin dhe postproduksionin e këngës.
“Uka” është jo veç një shprehje e respektit për dajën, po edhe një elegji për njerëzit e virtyteve, homazh për të ndershmin – të rëndomtët e heshtur. Mbi të gjitha, është një thirrje për të reflektuar për jetën, nderin, moralin… për njeriun!
Më poshtë mund ta dëgjoni këngën dhe ta lexoni tekstin.
UKA
Në ballë të oxhakut,
qyqe
vetëm
ka mbet.
Në odën e madhe,
s’ka sofër
as fjalë,
veç kujtime
për njerëzit e vdektë.
Shikon në dritare,
e në frengji,
dhe kohën e ndal
në legjendat që i blinin –
njerëzit
e ngratë.
Çdo gur në kullë,
çdo shkallë e kalbur
është plagë dhe barrë
në trupin e tij.
Mëkatet e brezave
vetëm ai i lan,
e ai nuk e din
se nuk di dredhi.
Prapa derës së mbyllur,
vuan e duron,
vazhdon të ëndërrojë
ai është i shenjtë –
armik
i shpirtit të tij.
I pastër ishe,
në baltë sharrove,
jetove urtë,
urtësia të mungonte,
hije kërkove,
terri të gjeti,
u shfaqe mes nesh –
për t’u qarë
Durove,
s’mashtrove,
dëgjove,
nuk fole,
vuajte,
s’tradhtove,
shihje,
s’lakmove,
mendove,
nuk dite,
rrite,
nuk prite,
ece,
s’jetove,
përcolle,
ike,
shpëtove.
N’çdo gurë në kullë,
n’çdo shkallë të kalbur,
në derën e mbyllur,
e odën e zbrazët.
Në çdo dritare,
e çdo frëngji,
je një kujtim,
për t’u qarë.