8 Janar, 2023 - 7:00 pm
Ukraina ka vendosur dhjetëra artistë rusë dhe figura të tjera publike në një listë sanksionesh, përfshirë emra të njohur nga bota e operës, filmit dhe muzikës pop.
Një nga emrat më të njohur në dekretin e publikuar të shtunën nga Zyra e Presidentit të Ukrainës është ai i këngëtares operistike me qendër në Vjenë, Anna Netrebko, e cila është vënë nën kritika se ka qenë shumë afër Kremlinit dhe jo shumë kritike ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Netrebko dhe 118 persona të tjerë – përfshirë tre shtetas ukrainas – do të kenë të ngrirë çdo pasuri në Ukrainë.
Lista e sanksioneve përfshin gjithashtu yllin e popit rus Philipp Kirkorov dhe aktorin dhe regjisorin Nikita Mikhalkov, fitues i çmimeve nga festivalet e filmit si Kana dhe Venecia.
Mediat ukrainase raportuan gjithashtu se presidenti Volodymyr Zelensky u hoqi nënshtetësinë 13 anëtarëve të klerit të Kishës Ortodokse të Ukrainës në fund të dhjetorit.
Nuk dihet saktësisht se cilët janë ata.
Kisha Ortodokse e Ukrainës ka pasur tradicionalisht lidhje të ngushta me Rusinë dhe u shkëput plotësisht nga Moska vetëm pasi filloi pushtimi rus shkurtin e kaluar.
Kievi i sheh lidhjet e kishës me Rusinë si një kërcënim për sigurinë e vendit./KultPlus.com