14 Nëntor, 2020 - 11:26 am
Një unazë floriri me diamante, e mbajtur nga Elvis Presley, pritet të shitet për më shumë se 500 mijë dollarë në një ankand në Los Angeles, ku do të përfshihen edhe gjëra të tjera të yjeve të rokut.
Unaza e Elvis Presley është e para e një serie të tillash me inicialet TCB, (Taking Care of Business) dhe motivin e vetëtimës, që artisti e përdori si mantrën e tij që prej 1969-s, kur iu rikthye koncerteve pas fokusimit te filmat.
“Diamanti është 7 karatë e gjysmë, ndërsa unaza përbëhet nga flori 14 karatësh”, tregon organizatorja e ankandit, Brigitte Kruse.
Elvis Presley ia dhuroi unazën të cilën e kishte dizenjuar vetë, pjesëtarit të bandës së tij J.D Sumner, në vitin 1975. Legjenda e rock-ut, i cili vdiq në 1977, në moshën 42-vjeçare, ishte gjithashtu një adhurues i motoçikletave.
Një Harley Davidson me të cilin shëtiste rreth pronës së tij të Graceland në Memfis, do të shkojë gjithashtu nën çekiçin e ankandit. Organizatorja pret që të shitet për 300 mijë deri në 350 mijë dollarë. Në ankand do të përfshihen edhe një sërë regjistrimesh master të festivalit të Udstok në vitin 1969, të cilat kishin qenë për më shumë se 10 vite në dollapin e një producenti e nuk kishin dalë asnjëherë në treg.
Regjistrimet prej më shumë se 700 orësh dhe vlerë mbi 1.6 milionë dollarë shfaqin performanca të Jimi Hendrix, Janis Joplin, The Who dhe dhjetëra artistëve që morën pjesë në festivalin ikonë të kulturës hippie./a2news/ KultPlus.com