27 Shtator, 2020 - 3:54 pm
Është i çuditshëm fakti që aq shumë është shkruar për një këngë, por kur mendon që kënga është më e bukura e shkruar ndonjëherë për dashurinë shqiptare atëherë gjithçka ndryshon dhe mendimi të kthehet në frymëzim.
Të shtyn të kërkosh e të gjurmosh thellë në hojzat e krijimit, atje ku ajo lindi. Besoj e keni kuptuar se për cilën këngë e kam fjalën. Më mirë të them që kënga është një hymn i vërtetë dashurie me të cilin sa e sa të rinj kanë lidhur jetët e tyre. E pra është “LuleBora”.
Me tingujt e saj shqiptarët kanë shoqëruar kurorëzimin e dashurisë në të gjitha martesat e tyre njësoj si me marshin e martesës të Mendelsonit. “LuleBora” është kënduar në të gjitha skajet e globit dhe është kënga më e dëgjuar dhe më e njohur shqiptare në botë.
Melodia e saj ka valëzuar në të gjitha gëzimet familjare dhe kompozitori Simon Gjoni është vlerësuar nga vetë artistët si krijuesi i një perle të vërtetë, i temës më të ëmbël lirike në muzikën shqiptare. Ai lindi në qytetin e Shkodrës ne vitin 1923 dhe u edukua në një familje të thjeshtë qytetare. U arsimua në gjimnazin “Illyrikum” të këtij qyteti.
Shumë shpejt mësoi kitarën, trombën, pianon dhe me entuziazëm e pasion ju kushtua artit të muzikës. Në vitet e rinisë së tij kompozoi mbi 200 këngë origjinale që shumë shpejt u përhapën në të gjithë Shqipërinë, si: “Lule-borë”, “ Pash syt’ tu’ si drita”, “End o vashë” etj. Studimet e larta i kreu në vitet 1952-1958 në Akademinë e Lartë Muzikore në Pragë (Çekosllovaki).
Në vitet 1956-1958 në qytetin e Pragës dirigjoi : Shubert “Rozamunda”, Grig “Peer Gynt”, I.Benda “Pygmalion” K.Ditersdorf “Simfoninë koncertale për violinë e kontrabas”, F.List “Les Preludes”.
Në vitin 1958 kthehet në atdhe dhe punon në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku dirigjoi shumë vepra botërore, të cilat gjetën interpretimin e parë nën baketën e tij, si operat: G.Donixetit “Don Paskuale”, L.Kavallo “Paliaçot”, Xh Rosini “Berberi i Seviljes”, T. Daija “Pranvera” dhe baletet “Lola” e Vasiljenkos, “Laurencia” e Krein, etj.
Me kujdesin dhe pasionin e tij regjistroi shumë vepra të kompozitorëve shqiptarë si Zadeja, Gaci, Nova, Daija, Harapi, Dungu, Grimci, Zoraqi, Kono, etj. si dhe muzikën e disa filmave shqiptarë. Në vitin 1967 drejton ne Kinë vepra të kompozitorëve shqiptarë. S.Gjoni është një nga themeluesit e Orkestrës Simfonike të Radio
Televizionit Shqiptar, me këmbëngulje dhe disiplinë ai punoi për rritjen, individualitetin dhe zhvillimin e kësaj orkestre. Nga kompozitorët botërorë ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri, Bethoven ”Simfoni Nr.7” dhe “Simfoni Nr.8”, Mendelson “Endërr e një nate vere”, K.M.Veber “Gjahtari magjik”, Belini “Norma”, Bethoven “Leonora”, Grig “Peer Gynt” Smetana “Poemën Voltava”, Çajkovski “Françeska da Rimini”, Dvorzhak “Valle Sllave”, F.List “Les Preludes”, etj. Dirigjimi i tij ishte një akt krijimi, në të rrihte pulsi i kohës, rrihte vetë jeta.
Aktivitetin pedagogjik e filloi në vitin 1958 në Liceun Artistik dhe më vonë, në vitin 1961 ishte ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës (sot Akademia e Arteve të Bukura), ku përgatiti breza të tërë muzikantësh e artistësh, duke dhënë lëndët e polifonisë, orkestracionit, dirigjimit, intonacionit dhe muzikës së dhomës, deri ditën që pushoi së jetuari.
Si kompozitor krijimtaria e tij ka kaluar në të gjitha gjinitë, që nga kënga, Romanca, Kantata, Suita, Ballada, Pjesë për piano, violinë, dhe vepra të mëdha orkestrale si tetë Valle Simfonike Shqiptare, Poemë Simfonike, Suitë Simfonike e deri tek Simfonia në Mib mazhor. S.Gjoni ishte një kompozitor me frymëzim e pathos fisnik, muzika i buronte lirisht. Kritiku i muzikës dhe muzikologu G.Leotsakos në letrën e tij më 22.12.1991 e karakterizonte kështu:
“Simon Gjoni është një kompozitor i shkëlqyer, krijues i predestinuar, me një kulturë të thellë estetike e muzikale, por mbi të gjitha me një personalitet të mrekullueshëm human, me një zemër të artë në harmoni të plotë me kulturën e tij të rafinuar.”
Gjithashtu kompozitori në fushën e kritkës muzikore ka lënë punime teorike në lidhje me temat e “Arritjeve të artit muzikor shqiptar” si dhe veprën e rëndësishme “Instrumentet dhe arti i Orkestrimit”.
Kompozitori Çesk Zadeja në gazetën Drita 01.12.1991, shkruan : “Emri i Simon Gjonit do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare. Vlerësimi më i madh për çdo krijues është atëherë kur vepra e tij, mesazhi i tij bën jehonën e vet në thellësi të kohës duke rritur vlerat e veta bashkë me kohën. Këto veçori i atribuohen artistit, kompozitorit, dirigjentit, pedagogut dhe muzikologut të talentuar Simon Gjoni”.
Historia e “LuleBorës” fillon një ditë pranvere në një qytet verior të Shqipërisë, në Shkodër që ishte djepi i kulturës. Një gazetare e re shkon në këtë qytet për të realizuar një intervistë me një poet. Ata ulen në një kafe me një kopësht të mbushur me lule dhe bisedojnë gjatë. Teksa flisnin poeti nxjerr nga xhepi një fletore të vogël dhe një copë laps e fillon të shkruajë diçka. Vajza e shikon e hutuar por megjithatë vazhdon të flasë për gjithçka, për poezinë, për librat, për artin, për ëndrrat. Dhe poeti vazhdon të shkruajë. Një çast ai ndalon dhe i thotë vajzëz –“Të lutem pranoje këtë, është për ty”. Ishte një poezi. Ajo titullohej “LuleBorë”. Vajza e çuditur e merr dhe falenderon. Më pas poeti këput disa lule (për të cilat legjenda “ngulmon” që të jenë luleborë) nga kopështi dhe ja drejton vajzës duke ju lutur që ti bënin një vizitë nënës së tij pasi ajo do të gëzohej shumë dhe do të kënaqej nga prania e një vajze kaq gojë-ëmbël. Si gjithmonë dashuria me shikimin e parë edhe kësaj here goditi në shenjë dhe ky takim rinor nuk kishte si të mbaronte ndryshe veçse me lidhjen e dy të rinjve. Kjo do të ishte dashuria e parë e lidhur nga “Lulebora” dhe askujt nuk do ti shkonte në mendje se ajo nuk do ishte e fundit.
Por poezisë së bukur i duhej edhe një melodi po aq e bukur dhe e veçantë që ajo të bëhej e pavdekshme. Këtu fillon edhe pjesa e dytë e legjendës. Poeti, që ishtë Zef Pali pas disa ditësh takoi shokun e tij, kompozitorin Simon Gjoni. I foli për një poezi që kishte shkruar dhe ja dha ta lexonte. Rinia si gjithmonë ka energjinë e përmbledhur në vetvete, ka forcën krijuese që nuk ndalet para asgjëje. Fjalët e poezisë e frymëzuan menjëherë kompozitorin e ri që të ulej e të shkruante një melodi.
Figura e tij do mbetej në kujtimet e bashkëkohësve ulur buzë rrugës duke shkruar me një shkop mbi pluhur pesëvijëshin dhe notat, e pastaj i pakënaqur me ato që shkruante kompozitori i prishte e sërish hidhte të tjera nota, pa vënë re fare rrëmujen e kalimtarëve dhe njerëzve përreth tij. Notat buronin dhe tingujt e këngës fluturionin drejt fletëve të bardha, që të përjetësoheshin në krahët e dashurive që do të ushqenin. Ato nota do të qëndronin mrekullisht bukur pranë njera-tjetrës dhe do të habisnin edhe mjeshtrat kurdoherë që do të tingëllonin.
Siç ndodhi në Rusinë e largët ku mësuesit u thoshin studentëve të rinj shqiptarë se habiteshin me sa mjeshtëri ishin kombinuar ato kalime aq të thjeshta nga terca mazhore në minore, aq natyrshëm saqë të jepnin përshtypjen e një gëzimi dhe dashurie të pafund. Ata nuk kishin si ta merrnin me mend të fshehtën që shtrihej tek forca e madhe shprehëse e tyre dhe që qëndrontë pikërisht në burimin e tyre të pastër drejt e nga gjiri i një kombi aq të vjetër e aq krijues. Atje do mbetej sekreti i vetëm i “LuleBorës”, atë sekret që kompozitori në vitet e mëvonshme do t’ju a përsëriste aq shpesh studentëve të tij. Do ishte i njëjti sekret që do mbanin në gjirin e tyre edhe shumë këngë të tjera që do të pasonin.
Vajza ndodhej në Tiranë dhe me shoqet e saj një ditë dëgjonte Radio Tiranën. Për një çast dëgjohet një melodi e bukur, e ëmbël, me fjalët që ju dukën aq të njohura dhe që e befasuan. I dëgjon me vëmendje dhe nuk u beson veshëve. Janë të njëjta me poezinë që i kish dhuruar asaj i dashuri. E emocionuar ja tregon atë shoqeve dhe fillon e vallëzon edhe ajo bashkë me këngën. Bashkë me tingujt e me vargjet e saj edhe vajza fillon e shëtit me melodinë “në mal’ e n’ kodër”, dhe fillon e i “prek lulet gjith’ me dorë”. Kënga kishte marrë krahë dhe po emociononte në të njëjtën kohë me mijëra njerëz që po e dëgjonin. Në ato vite nuk ekzistonin teknikat e tanishme.
Gjithçka bëhej shumë më shpejt. Gjithçka ishte shumë më e thjeshtë. Sot për një regjistrim kënge duhet të mobilizosh me qindra vetë ndërsa në ato fillime mjaftonte dëshira e mirë e disa muzikantëve dhe gjitçka realizohej. Nuk duhej studio e aparatura supermoderne elektronike, nuk duheshin gjithfarë mikrofonash ultrasonikë, mjaftonin vetëm disa vegla dhe shpirti i mbushur me jetë që ëndrra të bëhej realitet. Dhe në pak minuta gjithçka dëgjohej drejtpërdrejt në të gjitha skajet, sepse luhej për së gjalli, luhej drejtpërdrejt në mikrofon e prej atje në shpirtrat e njerëzve. Eshtë pikërisht kjo që i mungon artit sot dhe na bën të habitemi se si është e mundur që kjo këngë e krijuar prej kaq vitesh, ende ka sharmin e saj të veçantë. Sepse ajo ka jetën e pastër brenda saj. Artistët luanin të entuziasmuar dhe këndonin edhe ata vetë hymnin e ri të dashurisë, merrnin edhe ata grimca nga lumturia dhe kënaqësia që falnin tingujt e kompozitorit. Si në shumë raste edhe atëherë ishte Radio Shkodra që po jepte një leksion muzikor, i takonte asaj të kishte nderin e transmetimit të parë të “LuleBorës”.
Pas disa ditësh të gjithë e këndonin dhe vala e pëlqimit nuk linte askënd të veçuar. E dëgjonin këngëtarët dhe menjëherë e mësonin dhe e këndonin. Donin edhe ata të merrnin diçka nga tingulli i artë e plot jetë i saj. E dëgjonin njerëzit e thjeshtë dhe menjëherë e preknin siç preknin petalet e luleve me imagjinatën e tyre, sepse ajo ishte e thjeshtë dhe e veçantë, kishte gjetjen e artistit dhe ëmbëlsinë e popullit të mbledhur në prehërin e këngës. Suksesi i saj ishte dhe ende mbetet i jashtëzakonshëm dhe e bëri edhe kompozitorin me krahë që të krijonte në pak kohë edhe shumë këngë të tjera.
Aq e madhe ishte fama e këngës sa pas shumë vitesh vetë përmendja e emrit të lules do të bëhej sinonim i këngës, sikur lulja në vetvete të mos ekzistonte por tashmë vendin e saj ta kishte zënë kënga. Dhe në të vërtetë askush më pas nuk mundi të thoshte me saktësi se cila ishte lulebora, lulja e vërtetë apo kënga, sepse të gjithëve u vinte e para në mendje kënga, sa herë përmendnin emrin e saj dhe sa herë shikonin një lule të bardhë mbi disa gjethe jeshile menjëherë nxitonin ta quanin luleborë, ndoshta të shtyrë nga kënga, ndoshta nga dëshira që të materializonin atë që ata kishin ëndërruar nën tingujt e muzikës, pak rëndësi kishte nëse lulet mund të ishin edhe gardenia a diç tjetër. E rëndësishme të ishte e bardhë dhe menjëherë pamja kthehej në këngë. Malodia ishte kthyer në muzikë dhe lule, ishte bërë njëkohësisht legjendë dhe art.
Shumë emra do të shoqëronin udhëtimin e saj në vite. Dhe vetë populli sikur e donte për vehte atë, nuk donte që të kishte autor, e prandaj askush nuk e përmendi më autorin për vite me rradhë. Ai kurrë nuk kërkoi dhe nuk mori shpërblim. Asnjëherë nuk mori ndonjë çmim ose vlerësim për muzikën e tij. Të tjerë u bënë “artistë të popullit” por populli asnjërit nuk ja kendoi këngët aq shumë e aq gjatë sa “Luleborën” e Simon Gjonit. Por kjo i takon një periudhe tjetër. Simonin e ri e njihnin të gjithë dhe ai kompozonte gjithnjë e më me frymëzim.
Jehona e këngëve të tij bëri që të vlersohej edhe nga pushtetarët, sepse edhe ata për “dreq” influencoheshin nga melodia e këngës. Dhe si në të gjitha rastet e artistëve fatlumë edhe kompozitorin e ri e dërguan me studime në një nga akademitë më të mira të muzikës. Ndërkohë kënga vazhdonte rrugën e saj të gjatë që edhe sot ende nuk e ka mbaruar.
Do të ishte artisti A. Mula që do ta këndonte i pari jashtë kufijve të vendit. Ishte kongresi i rinisë në Berlin dhe atje do të fitonte çmimin e parë. Siç e thoshte gjithmonë edhe ai vetë, “ajo këngë i solli tërë jetën shumë fat” sepse prej saj do të bëhej i njohur në të gjithë Rusinë, atje kënga arriti kulmin e një hiti të vërtetë, e transmetuar nga Radio Moska dhe e luajtur edhe nga orkestrat më të mira ruse ajo do të gjente tek artdashësit një sukses të paarritur dëri më sot nga ndonjë këngë shqiptare. Sa kujtime të studentëve shqiptarë lidhen me të.
Ja një prej tyre. “Gjatë një nate pranvere një student shqiptar po qëndronte nën qiellin me yje së bashku me të dashurën e tij. Larg, shumë larg, dukej se dëgjohej një melodi e cila sa vinte e bëhej më e njohur. Ai ngirit kokën sepse ajo melodi ju duk e afërt por largësia ja sillte disi të paqartë. Pak çaste më pas ai e kuptoi dhe gjithë trupi ju rrënqeth.
Zerat melodiozë sa vinin e bëheshin më të dëgjueshëm e më të ngrohtë njëkohësisht për veshin e zemrën e tij të ndjeshme në ato çaste përhumbjeje. Ishte “Lule bora” që po këndohej në shqip. Ai u ngrit që të afrohej pranë atyre që këndonin.
Eci drejt tyre dhe vuri re se ishin një grup studentësh nga vende të ndryshme të botës të cilët po këndonin këngën në gjuhën e tij. Krenaria e tij ishte e pakufishme në ato çaste, ai ndihej krenar si asnjëherë në jetën e tij dhe u bashkua me grupin e të rinjve duke kënduar “eja eja luleborë se me ty do t’thur kunor”. Siç do ta quanin edhe shumë të tjerë më pas, hymni i Shkodrës do të kthehej në hymnin e gjithë të dashuruarve. (marrë nga libri
“Në Shkodër të gjithë këndojnë” i autorit I. Alibali)
Përveç suksesit artistik rreth këngës u krijuan edhe histori të pafundme, jo vetëm dashurie, së cilës ajo natyrisht u ishte kushtuar, por edhe malli, humori dhe gëzimi. Disa prej tyre janë edhe komike si rasti i këngëtarit Ibrahim Tukiçi të cilit pedagogu i marksizmëm-leninizmit në vend të përgjigjes në provim i kërkoi ti këndonte një herë “LuleBorën”, ose Mentor Xhemalit, basit të mrekullueshëm shqiptar me zërin e kadifenjtë, për të cilin nuk ishin problem ariet më të mëdha botërore, ndërsa pedagogu i tij i tha se nuk ishte e këshillueshme që të këndonte që në vitin e parë “LuleBorën”, sepse ishte e “vështirë”, le të priste vitet e mëpasme të studimit, duke e lënë me këtë përgjigje të habitur në kulm këngëtarin që me zërin e tij prëj basi do të bëhëj aq i madh në skenën botërore.
Jo vetëm në momentet e gëzimit por edhe në çaste të dhimbshme,
ky kulm i melodisë së dashurisë ka ngrohur shpirtrat e njerëzve. Si në rastin e tezes së violinistit shqiptar Gert Kumi, e cila jetonte në USA dhe fatkeqësisht ishte e sëmurë rëndë. Nipi në ditën e fundit të jetës së saj shkoi për vizitë në spital dhe ajo i kërkoi t’i luante në violinë “LuleBorën”, por artisti nuk kishtë violinë me vete kështu që u detyrua të kërkonte në të gjithë qytetin e Atlantës një violinë borxh vetëm për disa orë. U kthye pranë shtratit të tezes së tij dhe luajti këngën e saj të preferuar duke i dhënë asaj kënaqësinë e fundit të jetës. Pas disa orësh ajo nuk ishte më.
Çastet e dhimbshme janë pjesë e jetës, por janë kengë të mrekullueshme si “Lulebora” që i lehtësojnë e japin lumturi njeriut që ti gëzojë ato. E si për të treguar për të kushedisatën herë që jeta vazhdon e do të vazhdojë gjithmonë edhe sot mbesa e saj e vogël, vetëm 2 vjeçe e këndon këtë këngë me fjalët dhe me melodinë e plotë, si një këngëtare e vërtetë. Ka mundësi që edhe ajo do të bëhet pikërisht këngëtare duke ju shtuar numrit të pafund të atyre që e kanë kënduar.
Sigurisht që njeriu ndjehet aq krenar kur mendon që një këngë e tillë është kënduar pa përjashtim nga të gjithë artistët shqiptarë, në të gjithë botën, që nga Rusia, Kina, Koreja, Vietnami, Mongolia, Gjermania, Rumania, Hungaria, Polonia Finlanda, Franca, Italia, Austria, Bullgaria, USA, Spanja, Algjeria, Egjypti, Anglia, Australia. “Luleborë” është kënduar përpara personaliteteve të mbarë botës.
Shprehja e artistit Zhani Ciko e përmbledh më së miri madhështinë e kësaj kënge. Pas një koncerti, pasi kishte dëgjuar këngën ai u shpreh – ‘Ashtu siç kanë italianët “O Sole mio” ne shqiptarët kemi “LuleBorën”.
E pra, sot në vitin e saj të 66 të krijimit, kur e mendon që çdo ditë ajo këndohet diku nëpër botë, a nuk e meriton “Lulebora” të quhet kënga e shekullit për shqiptarët? /shkoderinfo/ KultPlus.com