8 Shkurt, 2020 - 3:36 pm
Fragment i shkëputur nga libri “Ecje nëpër kujtesë” – bashkëbisedim mes Sanije Gashit dhe Bilbilit të Këngës Shqipe – Nexhmije Pagarushës.
“Çil njat zemër plot kujtime… Aaaaa, atë këngë e dua shumë, shumë! – ma kthen.
Jo jo nuk kam ndonjë kujtim të veçantë, por e dua, se më është përshtatur, e kam kënduar me shumë emocion! Në cilat vite? Eeh, unë datat nuk i mbaj mend, se kurrë nuk kam menduar që datat do t`më vyejnë, nuk kam menduar kurrë se unë paskam bërë një punë shumë të madhe, kjo është arsyeja e vetme, pse, vërtet nuk i mbaj mend. Për punën që kam bërë, Zoti ma ka dhënë zërin.
Kam dalë në skenë, kam kënduar dhe jam kthyer në shtëpi. Këto kanë qenë të vetmet momente të jetës sime kur kam menduar në këngën, jo ta interpretoj, se ndryshe është kur ti del para publikut dhe do ti tregosh – ja si këndoj unë, por unë kam kënduar nga shpirti, kurrë skam menduar as si po dukem, as ç’kam veshur. Gjithmonë kam pasur emocione të mëdha, tremë, porse kurrë nuk kam bërë ndonjë ‘kiks’.
Veçse një gjë e them, kur kam dalë në skenë unë kam pasur një fuqi mbinjerëzore! Si e tek, as vetë nuk e di…. / KultPlus.com