3 Qershor, 2019 - 10:30 am
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e cilësoi sot festivalin UNUM, të zhvilluar në plazhin e Ranës së Hedhur në Shëngjin, një mundësi të mirë për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Në fjalën e tij sot në Lezhë në aktivitetin e organizuar në kuadër të festivalit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Klosi theksoi se “festivale të tilla kanë krijuar destinacione të vërteta kudo në botë, ku vende si Kroacia, Greqia, Mali i Zi me të tilla festivale kanë thithur të rinj dhe pas tyre gjenerata të tjera të turizmit”.
“Dje ka qenë shumë interesante ku kishim shumë të rinj shqiptarë, të cilët iu bashkuan festivalit dhe ndiheshim shumë mirë që këta të rinj përfaqësonin atë kulturën e vërtetë europiane të rinisë shqiptare. Mes 5 mijë të rinjve ishte e vështirë të dalloje kush ishin të rinjtë shqiptarë e kush të huaj e besoj se ky ishte mesazhi i festivalit ku për tre ditë të gjithë së bashku shijuan këtë festival dhe arritën të bënin jo vetëm dëgjimin e muzikës, por edh jetën sociale”, theksoi Klosi.
Ministri Klosi bëri të ditur se “nesër të gjithë së bashku do të pastrojnë edhe vendin dhe të fusin dimensionin që festivali UNUM e ka pasur në katër ngjyrat e tij, ku një nga ato është ngjyra e mjedisit, pastrimi i mjedisit”.
Klosi falënderoi të rinjtë Kosova që morën guximin për të krijuar këtë ekip fantastik të organizimit të festivalit.
“Nëse këtë vit erdhën 5 mijë të rinj festivali ka potencial që të shkojë deri në 10 mijë dhe në vitin e dytë e të tretë kur ky numër të arrihet realisht do të ketë edhe më shumë biznese për të gjithë komunitetin lokal , edhe shumë më tepër biznes për produktet e tyre dhe më shumë punësim”-, tha Klosi./atsh / KultPlus.com