5 Korrik, 2022 - 6:00 pm
Një mbrëmje e veçantë, nën tingujt e muzikës folklorike të jugut, argëtoi publikun e mbledhur në sheshin e qytetit të Leskovikut. Eventi, me pjesëmarrjen e muzikologut e studiuesit amerikan Christopher King, ishte organizuar nga bashkia Kolonjë, me mbështetjen e nënprefektit të Kolonjës, Sergei Peshtani.
Mbrëmja gala, me temë “Vajtimet e Epirit”, i solli gjallëri qytetit dhe u mirëprit nga të pranishmit. Muzikologu amerikan King, një fitues i “Grammy Award”, prezantoi pjesë të repertorit të Sazeve të Leskovikut, të regjistruara në pllaka gramafoni, të cilat datojnë nga viti 1928 deri më 1964, pllaka të prodhuara nga studiot dhe shtëpitë diskografike të kohës në: New York, Athinë, Stamboll dhe Vjenë.
Sipas Christopher King ky repertor është një nga kryeveprat e muzikës folklorike botërore.
Në nder të muzikës popullore folklorike të jugut të Shqipërisë, në këtë mbrëmje luajtën muzikën e tyre grupi i Sazeve të Leskovikut me përfaqësuesit e saj të mirënjohur Hafize e Selim Leskoviku dhe Ajdin e Vangjel Leskoviku. Në event morën pjesë shumë studiues e muzikologë të huaj e vendas, përfaqësues të pushtetit qëndror e lokal, si dhe turistë të huaj. /atsh/ KultPlus.com