8 Mars, 2022 - 7:10 pm
KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
Në vazhdim, KultPlus ua sjell sopranon shqiptare, Elbenita Kajtazi e cila ka shkëlqyer me performancën e saj në skenën botërore të konkursit të këngës në BBC Cardiff Singer of the World, ku ajo për herë të parë në histori ka prezantuar Kosovën me një repertor të larmishëm të veprave botërore dhe shqiptare.
Sopranoja nga Kosova, po ashtu ka debutuar me shumë sukses në rolin e saj “Manon Lescaut” në mbrëmjen e 30 janarit duke realizuar një ëndërr të cilën Elbenita e ka pasur që kur kishte filluar studimet, dhe më në fund edhe e realizoi atë.
Së fundmi, në kuadër të manifestimeve të organizuara nga Komuna e Mitrovicës për nder të Pavarësisë së Kosovës kujtojmë edhe koncertin e sopranos kosovare që vazhdimisht po prek majat e suksesit nëpër botë. / KultPlus.com