Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Lule Elezi

8 Mars, 2022 - 5:15 pm

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus ua sjell pianisten Lule Elezi, e cila ka koncertuar në skena vendore e ndërkombëtare, përfshirë në Suedi, Gjermani, Kinë, SHBA, Rusi, Japoni, Luksemburg, Francë, Bullgari, Itali, e të tjera.

Së fundmi Shoqata Ndërkombëtare “Chopin” pati organizuar në Vjenë koncertin e pianistes Lule Elezi. Në ngjarjen vjeneze, që zë vend më 15 nëntor, kjo pianiste kosovare luajti vepra nga kompozitorët e njohur Frederik Shopen, Ludvig Van Betoven dhe Rrauf Dhomi. Me këtë rast, pianistja Elezi promovoi edhe CD albumin pianistik.

Kryeqyteti i muzikës klasike kumboi nga interpretimi magjepsës i pianistes kosovare, Lule Elezi. Albumi i saj i incizuar gjatë pandemisë, në “Mozart House” në Vjenë, u prezantua pas koncertit, në koktelin e organizuar nga ambasadori kosovar. / KultPlus.com

Të ngjajshme