8 Mars, 2022 - 6:30 pm
KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
Në vazhdim, KultPlus ua sjell sopranon e njohur kosovare Marigona Qerkezi, e cila së fundmi ishte pjesë e operës “L’Elisir d’Amore”, operë kjo që u transmetua në kanalin më të madh kulturor në Itali, ‘RAI 5’.
Opera “L’Elisir d’Amore” e Gaetano Donizetti në të cilin Qerkezi luajti rolin e protagonistes Adina, u interpretua në Teatrin ‘Petruzzelli’në Bari të Italisë.
“L’Opera – International Magazine” pati shkruar se Qerkezi është një ‘Adina’ me teknikë të pasur me sensibilitet në portretizimin e një vajze që kërkon diçka që shndërrohet në dashuri.
Po ashtu, sopranoja kosovare debutoi në Teatrin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.
Pikërisht në qytetin e saj të lindjes, ajo interpretoi rolin e ‘Leonoras’ nga opera “Il Trovatore” e Giuseppe Verdit, nën dirigjimin e Maestro Pier Giorgio Morandi dhe regjinë e Arnaud Bernard. / KultPlus.com