6 Prill, 2018 - 6:38 pm
Alberina Haxhijaj
Chopin Piano FEST Prishtina, festivali i cili njihet për prurjet e pianistëve të shquar filloi edicion e tij të 9-të me Vasco Dantas Rocha, pianist i cili është fitues i rreth 50 çmimeve ndërkombëtare dhe shquhet për ëmbëlsinë gjatë interpretimit, bashkë me intensitetin muzikor që e karakterizon.
Ky edicion i festivalit filloi mbrëmë me interpretimin e punëve nga Schuman, i cili për të realizuar veprën ‘Kinderszenen’ ishte frymëzuar nga fjalët që gruaja e tij Clara i kishte thënë, duke e cilësuar atë si një person që shpesh herë sillet si një fëmijë.
Kështu pianisti Vasco Dantas Rocha, solli kujtime nga fëmijëria e kompozitorit, por edhe ndryshime të shpeshta të tingujve e të cilat shprehnin ndjenjat e ndryshme që kompozitori ka ndjerë në fëmijëri.
Se çdokush kujton fëmijërinë e tij dhe vendlindjen e dëshmon fakti se pianisti Vasco Dantas Rocha ka dëgjuar për Kosovën pikërisht nga artistët që jetojnë apo punojnë jashtë vendit. Ai pas performancës, ka treguar për KultPlus që dëshiron të rikthehet në Prishtinë.
“Deri tani ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Nuk ka asgjë më të mirë së muzika dhe arti e të cilat bashkojnë njerëzit. Kam luajtur në gjithë botë, ndoshta në më shumë se 20 vende dhe kjo është diçka shumë e bukur. Ne artistët kemi mundësinë që të njohim njëri-tjetrin por edhe të njohim vendin e të tjerëve përmes muzikës dhe kjo është një lidhje e fuqishme e cila bëhet vetëm përmes kulturës”, tha ai.
Për pianistin i cili ka mbajtur edhe një masterklasë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në kuadër të CHOPIN PIANO FEST, dëshira e të rinjve për të mësuar më shumë për këtë instrument është mahnitëse.
“Kam pasur rastin që të mësoj se në Kosovë por edhe në Shqipëri është një numër i madh i të rinjve të cilët duan që të mësojnë pianon dhe kjo ka qenë befasi për mua. Sigurisht kjo më ka bërë shumë të lumtur, çdonjëri prej këtyre studentëve duhet që të besojë që gjithçka është e mundur. Përkushtimi është gjëja më e rëndësishme, nëse diçka nuk ka shkuar mirë nënkupton që ajo akoma nuk ka përfunduar”, tha ai.
Para publikut pianisti Vasco Dantas Rocha solli edhe tinguj folklorik portugezë të cilët fshiheshin mjaft mirë dhe përshtateshin me pjesën tjetër të kompozimit. Arsyeja se pse pianisti kishte zgjedhur këto kompozime nga kompozitori Vianna da Motta qëndron pikërisht te fakti se ky kompozitor ka marrë tema nga muzika folklorike dhe i ka përfshirë ato në kompozimet e tij.
Pas këtyre vepra, erdhi vepra e realizuar në vitin 1853 nga Franz Liszt. Vepra fillimisht nuk ishte pranuar pasi ishte sonata e parë dhe ishte gjysme ore e gjatë. Mirëpo, tani kjo vepër e cila konsiderohet një nga veprat kryesore të shekullit XIX, përmbylli mbrëmjen e parë të edicionit të 9-të të festivalit Chopin Piano Fest.
Drejtoresha Organizative e Festivalit, Besa Luzha, tregoi se Chopin Piano FEST Prishtina edhe sivjet ka në fokus artin e performimit pianistik. Ajo sqaroi se ky festival shërben edhe si një reflektim i muzikës që ndodhë jashtë Kosovës e që në fokus të saj ka pianon.
“Siç e dimë shumica prej nesh, kufizimi, mungesa e lëvizjes së lirë, liberalizimi i vizave, e të gjitha këto ua pamundësojnë studentëve tanë, talenteve tanë të ri që të shkojnë të shohin koncerte dhe të përjetojnë interpretime pianistike në vendet tjera. Prandaj, ky festival është edhe një kontribut i vogël dhe modest për ata që e studiojnë këtë instrument dhe artin në përgjithësi. Kështu së paku, këtu, pikërisht në Prishtinë, për disa ditë do të kenë mundësi që ti ndjekin këto koncerte”, u shpreh ajo duke theksuar se pikërisht të rinjve ky festival ua dedikon tri mbrëmje.
Performuesi i radhës në festival do të jetë Jerome Granjon nga Franca. Koncerti i tij vjen me 7 prill në ora 20:00. Me rastin e përkujtimit të Debussy, Jerome do të sjellë punë të këtij kompozitori të njohur. / KultPlus.com