29 Janar, 2018 - 5:30 pm
I mbijetuari i kampeve naziste, ku ishte i detyruar të performonte, përpara se të niste karrierën si kitarist i muzikës xhaz, muzikanti gjerman “Coco Schumann” vdiq në moshën 93- vjeçare.
“Artisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Heinz Jakob Schumann vdiq dje në Berlin”, njoftoi sot shtëpia diskografike, Trikont.
Ai u dallua në fushën e muzikës pasi ishte një ndër të parët që futi kitarën elektrike në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe një mori koncertesh me “Kuartetin Coco Schumann”.
Por më konkretisht ai u bë i famshëm në vendin e tij dhe përtej kufirit për karrierën dhe historinë e tij dramatike personale.
I biri i një gjermani të krishterë i konvertuar në hebre, ai u arrestua në 1943 dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të Theresienstadtit, në Sudetenlandin e pushtuar nga Rajhu III.
Grupi i tij quhej në atë kohë “Ghetto Swingers”.
Në shtator 1944 ai u internua në kampin famëkeq të Aushvicit së bashku me disa muzikantë të tjerë.
Në vitin 1977 ai publikoi një libër kujtimesh, “Ghetto Swingers” që u vu në skenë në një musical mjaft i vlerësuar në Gjermani, në Hamburg në 2012./ KultPlus.com