30 Tetor, 2020 - 10:18 pm
Këngëtari Kujtim Prodani ka ndarë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të xhaxhait të tij, kitaristit Mehdi Prodani.
“Lamtumirë Mehdi Prodani!” – ka shkruar ai. – “Lamtumirë o njeri i rrallë! PAQE!”.
Medi Prodani, vëllai i Agimit, në fillimet e karrierës së tij vlerësohej si një ndër kitaristët më të mëdhenj të Shqipërisë.
Në Lushnje ai i ka dhënë mësim në kitarë edhe këngëtares së madhe, Vaçe Zela.
Por, ndërkohë që të gjithë njerëzit ishin të magjepsur pas tingujve brilantë të kitarës së tij, dhe kur të gjithë mendonin që ai do të ishte kitaristi kryesor në të gjitha Festivalet dhe aktivitetet kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, fati u tregua i pamëshirshëm me të.
Nuk i’u krijua asnjë mundësi për të shprehuar talentin e jashtëzakonshëm të tij, në skenën e festivaleve, apo të aktiviteteve të tjera, që organizoheshin, në kohën kur ai ishte në kulmin e moshës e të krijimtarisë muzikore. Përkundrazi, provoi përjashtimin nga Radio-Tirana dhe për gjashtë vite rresht, edhe qelitë e lagështa dhe të ftohta të burgut, vetëm pse dashuroi dhe lidhi jetën me vajzën e një të arratisuri.
Ai nuk u lejua më pas të shprehte talentin e rrallë. Pas ‘ 90 nuk është ndarë nga kitara e tij e dashur, që i largonte trishtimin dhe dhimbjen në çastet më të këqija.
Edhe në vitet e fundit të jetës, Mehdi Prodani kompozoi dhe interpretoi, madje pas viteve të demokracisë, ka interpretuar në spektakle të mëdha, ku ndër ta është spektakli “12 vallëzime pa një të shtunë”.
Para se të ndahej nga jeta, gjatë viteve të fundit Mehdi Prodani po bënte përgatitje, që të gjitha krijimet e tij t’i përmblidhte në një album dhe në një koncert recital. /medialmk/ KultPlus.com