10 Prill, 2023 - 11:16 pm
Të dielën e 9 prillit, në moshën 76-vjeçare, ka vdekur mjeshtri i violonçelit dhe profesori i Akademisë së Muzikës në Zagreb, Valter Deshpali.
Lajmin e bëri publik portali i Shoqatës së Kompozitorëve Kroatë, “glazba.hr”.
I lindur më 5 nëntor të vitit 1947 në Zarë të Kroacisë, nga prindër arbëreshë, ai rridhte nga një familje muzikore. Së bashku me të atin Shime, muzikantë u bënë edhe motra e tij Maja dhe vëllai Pavle, transmeton Klankosova.tv.
Valter Deshpali u diplomua në Shkollën “Juilliard” në Nju Jork, në klasën e Leonard Rose, dhe më pas studioi në Konservatorin e Moskës në klasën e Galina Kozolupovës dhe me Pablo Casals, Pierre Fournier dhe Andre Navarre.
Si violonçelist, Deshpali kishte arritur që të bëhej emër i përmasave përtej Evropës. Njëherësh ishte edhe pedagog i violonçelit në Akademinë e Muzikës në Zagreb.
Karriera e tij e gjerë ndërkombëtare si solist e ka çuar atë në audiencë pothuajse në të gjitha vendet evropiane dhe, ndër të tjera, në SHBA, Kanada, Australi, Kinë, Indi dhe Iran. Ai performoi në sallat më të famshme dhe prestigjioze të koncerteve si Carnegie Hall në Nju Jork, Kennedy Center në Uashington, Shtëpia e Operës së Sidneit, Royal Festival Hall në Londër, Concertgebouw në Amsterdam, Salla e Madhe e Konservatorit të Moskës, Salla e Filarmonisë në Shën Petersburg.
Për kompanitë diskografike në Kroaci, Gjermani, SHBA dhe Rusi, ai regjistroi një numër publikimesh diskografike që dëshmojnë për përsosmërinë e interpretimit, duke reflektuar mendimet dhe të kuptuarit e tij për muzikën, si dhe muzikantin e shkëlqyer.
Ai themeloi dhe drejtoi festivalin e artistëve të rinj “STRINGS ONLY” në Zarë, dhe klasën master “Cello Focus” në Pollauberg (Austri). Në vitin 1996, ai themeloi një shkollë muzikore për të rinjtë e talentuar në Zagreb.
Ai është fitues i disa çmimeve dhe mirënjohjeve.
Ministrja e Kulturës dhe Medias e Kroacisë, Nina Obuljen Korzhinek, i dërgoi të hënën ngushëllimet familjes me rastin e ndarjes nga jeta të një prej muzikantëve më të mirë arbëreshë me famë botërore, violonçelistit Valter Deshpali, duke theksuar se trashëgimia e tij në kulturën kroate është e paçmuar.
“Të pikëlluar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të zotit Valter Deshpali, e kujtojmë me krenari talentin e tij madhështor muzikor, virtuozitetin e violonçelit me të cilin ai pushtoi skenat në mbarë botën. Ai ishte një nga të paktët, nëse jo i vetmi, i diplomuar në akademitë amerikane dhe ruse në mes të periudhës së Luftës së Ftohtë – në prestigjiozen ‘Juilliard’ në Nju Jork dhe te Konservatori ‘Tchaikovsky’ i Moskës”, theksoi ministrja në letrën e ngushëllimit në emër të Qeverisë së Republikës së Kroacisë. /Klankosova.tv/KultPlus.com