9 Shkurt, 2021 - 12:45 pm
Mary Wilson, anëtarja themeluese e grupit “Supremes”, ka vdekur në shtëpinë e saj në Henderson të Nevadas. Ajo ishte 76-vjeçare.
Publicist i Wilsonit, Jay Schwartz, për revistën “Rolling Stone” e ka konfirmuar lajmin e vdekjes së këngëtares, nuk nuk e ka zbuluar shkaktarin e vdekjes.
Bendi i njohur i viteve ’60, “Supremes”, pjesë e së cilit ishin edhe këngëtaret Diana Ross dhe Florence Ballard, gjatë karrierës së tyre muzikore kanë realizuar këngë hite, si “Where Did Our Love Go”, “Baby Love”, “Come See About Me” dhe “Stop! In the Name of Love”.
Barry Gordy, themeluesi i studios incizuese që e menaxhoi karrierën grupit, “Motown Records”, i shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e artistes së talentuar.
“Jam i shikuar dhe i trishtuar me lajmin e vdekjes së anëtares së rëndësishme të familjes ‘Motown’, Mary Wilson, nga grupi ‘Supremes’. Ky bend gjithmonë ishte i dashur për kompaninë tonë. Mary bashkë me Diana Rossin dhe Florence Ballardin, u bë pjesë e studios sonë incizuese në fillim të viteve ’60. Pas lansimit të një sërë hitesh muzikore, paraqitjeve televizive dhe performancave ikonike nëpër klube të natës, ato i hapët dyert drejt suksesit jo vetëm për veten, por edhe për shumë artistë të tjerë të kompanisë sonë. Unë isha gjithmonë shumë krenar me Maryn. Ajo ishte një yll i merituar dhe përgjatë vjetëve vazhdoi të punojë shumë për ta ruajtur trashëgiminë e grupit ‘Supremes”. Mary Wilson ishte shumë e veçantë për mua. Ajo ishte divë e vërtetë dhe do të na mungojë vërtetë shumë”.
Wilson ishte pjesë e 12 hiteve të grupit “Supremes” të pozicionuara në maje të topliostave muzikore, nga viti 1964 deri më 1969. Ajo kishte qëndruar në vëmendjen e publikut deri në vitin 2019, duke u paraqitur në shoun televiziv “Dancing With the Stars”, si dhe duke e publikuar librin e saj të katërt “Supreme Glamour”.
Sipas “Variety”, Wilson e kishte publikuar një video në kanalin e saj në YouTube, vetëm dy ditë para vdekjes, me ç’rast i paralajmëroi fansa se ishte duke punuar me kompaninë “Universal Music”, për lansimin e disa materialeve muzikore, përfshirë këtu albumin e saj të palanjsuar më herët, “Red Hot”, të cilin e kishte incizuar në vitin 970 me producentin, Gus Dudgeon.
Varrimi i këngëtares së ndjerë do të jetë privat, për shkak të protokoleve dhe masave anti-COVID, por kah fundi i këtij viti do të organizohet një ceremoni përkujtimore e hapur për publikun e gjerë. / Koha.net / KultPlus.com