7 Shkurt, 2020 - 10:40 am
Ka ndërruar jetë bilbili i muzikës Nexhmije Pagarusha.
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu atje kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Betovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit. /KultPlus.com