Veçantia e fëmijëve gjilanas dhe zëri emocionues i sopranove Lekaj dhe Avdyli përmbyllin natën e dytë të “PriVocalFest”

9 Tetor, 2022 - 9:00 am

Uranik Emini

Nata e dytë e Festivalit “Prishtina International Vocal Fest” u karakterizua nga veçantia e fëmijëve të korit nga Shkolla e Muzikës së Gjilanit, të udhëhequr nga Artan Jerliu, derisa për të përcjellur edhe më shumë emocione te publiku u përkujdesën sopranot Martina Lekaj dhe Ylberinë Avdyli, shkruan KultPlus.

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës së Kosovës u bënë bashkë një numër i konsiderueshëm njerëzish që të përcillnin nga afër edhe natën e dytë të festivalit “PriVocalFest”.

Martina Lekaj si soprano, u përcoll nga Melos Buza si pianist për ta hapur siç duhet natën e dytë të këtij festivali. Gjatë gjithë kësaj nate, publiku u shpreh shumë i kënaqur me performuesit, duke dhënë duartrokitje të panumërta për të gjithë ata që u ngjitën në skenë. 

Njësoj sikurse morën mbështetje të madhe edhe Ylberinë Avdyli, e përcjellur në piano nga Leonita Emini. Ndërkaq, për t’ia dhënë hijeshinë e duhur dhe realisht gjithë kuptimin e emërtimit të natës së dytë, pikërisht “Skena e Re”, u ngjitën fëmijët e korit të Shkollës së Muzikës, që po udhëhiqeshin nga dirigjenti Artan Jerlia, me Hajrije Bislimin si pianiste.

Në një prononcim për KultPlus, Jerliu u shpreh shumë i lumtur për këtë performancën, derisa ndau eksperienca edhe nga përgatitjet e deri te finalizimi i punës. 

“Me të vërtetë është një ndjenjë shumë e veçantë kur puna të cilën e bën dirigjenti për një kohë finalizohet në fund në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk është e lehtë që ta bëjmë këtë punë, por sigurisht që është kënaqësi e madhe. Procesi i provave shkon shumë mirë dhe gjithçka shkon në mënyrë natyrale. Unë jam shumë falënderuese për profesoreshën që ka arritur të lexojë veprat për një kohë të shkurtër dhe në fund të arrijmë të bëjmë këtë performancë”.

Në anën tjetër, profesoresha Hajrije Bislimi tha për KultPlus se puna me fëmijët është një ndjenjë shumë e veçantë.

“Ka qenë një punë shumë e gjatë dhe njëkohësisht edhe e lodhshme por edhe e suksesshme. Këta fëmijë janë të mrekullueshëm dhe ndjehem e nderuar që kam marrë pjesë në këtë performancë. Këtë koncert e kemi përgatitur për një kohë shumë të shkurtër, por me bashkëpunimin e prindërve kemi arritur që të finalizojmë punën tonë. Artani është thjesht i mrekullueshëm”.

Dea Xhemajli, koordinatorja e Festivalit “PriVocalFest”, deklaroi për KultPlus se të gjitha festivalet e muzikës duhet t’i kushtojnë një hapësirë të veçantë të rinjve, dhe gjithashtu ndau detaje për netët e radhës.

“Si çdo vit tjetër, është viti i 5-të me radhë që ne gjithmonë ju japim hapësirë të rinjëve dhe për këtë arsye ne e kemi quajtur këtë natë sikurse “Skena e Re”. Pra, përveç tjerash, Marina Lekaj dhe Ylberina Avdyli ishin dy sopranot që na mrekulluan të gjithëve pa masë. Më 10 tetor do të jenë “The Sëingles”, natë e cila do të jetë shumë e veçantë për komunitetin tonë artistikë, përfshirë faktin që këta të fundit kanë arritur që të fitojnë 5 çmime Grammy, derisa dy netët e tjera do të jenë fillimisht Arta Jashari si soprano e përcjellur nga Pranvera Hoxha Bryma më 11 tetor me titull “Skena e Re”, derisa do të jetë në fund edhe Eriks Esenvalds, kompozitori i njohur për të bërë përmbylljen e madhe me veprën e tij”.

Sopranoja Ylberinë Avdyli, pohoi se nata shkoi me shumë sukses dhe ato, pra, së bashku me pianisten Leonita Emini; me të cilën njihen për një kohë të gjatë, arritën të bënin një punë shumë të mirë.

“Jam shumë e lumtur që gjithçka shkoj mirë dhe ndjehem e nderuar që publiku ishte i lumtur me paraqitjet tona, edhe pse muzika klasike nuk është diçka të cilën publiku ynë e vlerëson sa duhet. Përkundër faktit që ftesa ishte e vonshme, ne arritëm që të bëjmë një punë të madhe dhe jemi mobilizuar së bashku edhe me Leonita Eminin, e cila më shoqëroi në piano gjatë performancës sime dhe kemi arritur gjithë këtë sukses.

PriVocalFest do të vazhdojë edhe me eventet e tjera, ku më 10 tetor me fillim nga ora 20:00 do të mbahet nata me ansamblin “The Swingles”, në qendrën “Bogdanipolis”. /KultPlus.com

*Fotografitë janë realizuar nga Adi Beqiri*

Të ngjajshme