12 Shkurt, 2019 - 5:30 pm
Pavarësia e Kosovës është festa që gjithmonë na sjell organizime nga më të ndryshmet si në Kosovë po ashtu edhe në gjithë vendet ku jetojnë shqiptarët, shkruan KultPlus.
Për këtë pjesë janë përkujdesur edhe disa artistë shqiptarë që jetojnë në New York që këtë festë ta bëjnë sa më të bukur për gjithë komunitetin shqiptar që jetojnë atje.
Koncerti i titulluar “Vendi im” do të sjell një mbrëmje me këngë shqipe, ku janë përfshirë të gjitha trevat shqiptare, nga këngët shkodrane e deri te ato të Shqipërisë së Mesme, përfshirë këtu opera e vepra të kompozitorëve të njohur.
Një prej veprave që do të luhet këtë natë është edhe ajo e kompozitorit Rauf Dhomi “Dasma Arbëreshe”, këtë gjë e ka zbuluar për KultPlus njëri nga muzikantët e kësaj mbrëmje, kitaristi Taulant Mehmeti.
Në këtë koncert do të interpretojnë baritoni Ergin Oda, Faton Kaja në kitarë, çifteli dhe vokal Taulant Mehmeti, Jeta Monet vokaliste dhe kitarë si dhe artistë ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu Baden Goyo (pianisti nga Venezuela, fitues i çmimit Grammy, saksofonisti nga Armenia – Sergej Avanesov dhe Jasonas Wastor nga Greqia në daulle.
Koncertin mbahet në Scandinavia House në Manhattan të shtunën më 16 shkurt në ora 20:00. /KultPlus.com