Vepra e kompozitorit kosovar refuzohet në Kosovë ndërsa jepet premierë në Vjenë

3 Maj, 2019 - 11:40 am

Kompozimi i operave nuk është fort i zakonshëm në Kosovë, por një vepër nga një kompozitor në Prishtinë është përzgjedhur për t’u dhënë premierë në Vjenë, pasi u anashkalua nga institucionet shtetërore në Kosovë, shkruan balkaninsight.

Megjithëse vjen nga një vend ku kompozitorët e operave janë të rrallë, kompozitori i muzikës klasike, filmit dhe teatrit, Trimor Dhomi, është një nga katër të përzgjedhurit nga e gjithë bota, puna e të cilëve do të shfaqet premierë në qershor të këtij viti në Vjenë.

Për ta krijuar këtë operë, Dhomi, një ish-refugjat, është frymëzuar nga historia e fëmijëve sirianë refugjatë, dhe kjo operë ka për personazhe një sirian dhe dy refugjatë nga lufta e Kosovës.

Ai i ka thënë BIRN-it se shpreson që vepra e tij të ketë ndikim, jo vetëm si operë, por për rëndësinë e personazheve dhe rrëfimeve që përcjellin.

“Projekti im nuk u mbështet, nuk u komentua, madje as nuk u vlerësua, përkundrazi, ofenduan punën time”, tregon Dhomi, teksa kujton se si një anëtar i këshillit ministror i kishte thënë se “është një punë shumë e keqe”, kur ishin takuar në rrugë.

Por vepra e tij tashmë do të shfaqet premierë në Vjenë. Dhe ky nuk është suksesi i parë ndërkombëtar. Dhomi po ashtu është i njohur si kompozitor i filmit “Shok”, që është filmi i parë nga Kosova që u nominua për çmimin Oskar (2016)./KultPlus.com

Të ngjajshme