10 Tetor, 2019 - 2:30 pm
Qendrim Badalli
Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare ishte destinacioni i radhës i KamerFestit 2019, aty ku trupa e përbërë nga Derek Han, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi dhe Arben Ahmeti, dhuruan një paraqitje shumë të mirë para një publiku relativisht të madh që kishte ardhur në sallë, shkruan KultPlus.
Veprat e Franz Schubert si dhe të Felix Mendelssohn, qenë ushqimi për gjigandët në skenë të cilët me plotë emocione dhe profesionalitet të vlerësuar më pas nga kritikë të kësaj fushe, mbajtën vëmendjen e publikut.
Pianisti, Derek Han, tha se në këtë përvjetor të Kamerfestit është shumë i lumtur t’i shoh gjithë këto ndryshime që kanë ndodhur në Kosovë që nga viti 1999.
“Kësaj radhe eksperienca ime është shume speciale sepse është 20 vjetori i Kamerfestit dhe unë isha para 20 viteve këtu dhe tashmë unë po shoh shumë ndryshime të mëdha në vend dhe është një ndjenjë e mrekullueshme të shohësh sa shumë ndryshime janë bërë”.
Ai ishte i kënaqur edhe me shkollën e muzikës, për të cilën tha se po avanconte shumë çdo vit e më shumë.
“Me masterklasat që unë i mbajë është me të vërtetë interesante. Çdo herë që unë vij këtu niveli është lartë e më lartë dhe të shohësh sa shumë punë është bërë në shkollat e muzikës dhe përgjithësisht në sferën e kulturës është me të vërtetë e mrekullueshme”.
Për atmosferën në Prishtinë folëm shkurt, atij po i vinte mirë që kishte pjesëmarrje masive në zgjedhje.
“Ishte shumë mirë që të shoh sa shumë njerëz po participonin në procesin zgjedhor, kishte një atmosferë shumë të mirë”.
Blerim Grubi, i cili luajti në viole, tha se është i kënaqur për rezultatet e arritura nga kjo trup.
“Për këto ditë sa kemi punuar bashkë, jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur, ne kemi pasur këto ditë Festivalin Kamerfest edhe në Shkup dhe Shqipëri, ne duhet të mendojmë që në këto tre shtete t’i kemi koncertet e njëjta”.
Ai, tutje tregoi sesi pavarësisht se po e përsërit kërkesën për një infrastrukturë më të mirë kulturore, zëri i tij ka mbetur i padëgjuar tash e njëzet vite.
“Qysh në vitin e parë në 1999, kur e kemi themeluar Kamerfest bashkë më Sihanën, prej atëherë e deri më sot gjithmonë po e përmendim një sallë më të mirë, një infrastrukturë që na mungon edhe si publik edhe neve si instrumentist”.
Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve, duke vlerësuar mbrëmjen tha se ishte mundësi unike që të dëgjohen dy vepra kaq të mëdha në një mbrëmje të vetme.
“Më vjen keq që Kamerfesti ka qëlluar pikërisht në kohë të zgjedhjeve dhe nuk ka pasur shumë jehon. Mendoj se publiku e ka humbur një mbrëmje shumë të bukur sepse është shumë e rrallë t’i dëgjosh dy vepra kaq të mëdha në një mbrëmje”.
Sihana Badivuku, organizatorja e Kamerfestit, tha se është nder të punohet me pianistin Derek Han.
“Është nder i veçantë të punohet me një pianist koncertal siç është Derek Han, i cili ka një eksperiencë rreth 30 vjeçare, dhe këto vepra ai i ka të njohura mirë”.
Duke folur për zgjerimin e Kamerfestit edhe në Shqipëri e Maqedoninë Veriore, Badivuku, ka thënë se ky zgjerim që ngjason me një bashkim kombëtar në nivel kulture, nuk po ngjanë sot, por ka ngjarë para njëzet viteve.
“Ne e kemi bërë bashkimin e trojeve shqiptare para njëzet vjetëve, në kulturë dhe në muzikë”.
Festivali Kamerfest do të vazhdojë edhe netëve në vijmë, tashmë i zgjeruar edhe në Maqedoninë Veriore dhe në Shqipëri, duke krijuar një rrjetëzim kulturor shqiptar por njëkohësisht duke e ruajtur edhe elementin e hapjes meqë pjesë e këtij edicioni kanë qenë dhe janë emra eminent të fushës së artit dhe muzikës në nivele ndërkombëtare. / KultPlus.com