Vesa Dume, Elsa Gashi dhe Eda Vllaço, treshja që dhuroi një mbrëmje të paharrueshme në “Kosova KamerFest” 

15 Tetor, 2022 - 3:21 pm

“Kosova KamerFest”, festivali i muzikës kamertale ka filluar tashmë rrugëtimin e tij të suksesshëm drejt edicionit të 21-të, pas dy viteve pauzë. “New spirits, voices & hopes” ka qenë emërtimi i koncertit të djeshëm që ka shënuar mrekullueshëm koncertin e tretë me radhë. Talentet e reja si violinistja Vesa Dume, pianistja Elsa Gashi dhe pianistja Eda Vllaço kanë sjell një program tejet të bukur e të njohur për publikun artdashës, shkruan KultPlus. 

Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës mbrëmë ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të publikut. Ndërkaq, në skenë qe instrumenti i pianos bardh e zi, ai që ia ka shtuar hijeshinë kësaj nate. Perdet e zeza në prapavijë dhe ndriçimi i nevojshëm në sallë, kanë qenë elemente shtesë që këtë natë e kanë bërë më të ngrohtë për syrin e publikut.  

Fillimisht, ishte Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e festivalit, e cila hapi mbrëmjen me një fjalë rasti. 

“Ky është koncerti i tretë me radhë dhe sonte kemi rastin e nderin e veçantë që të kemi tri talente të rralla, që janë finaliste të garave ‘ArsKosova 2022’. Koncertin do ta hap fituesja e të gjitha çmimeve, Vesa Dume, pra është fituese e çmimit ‘Grand Prix ArsKosova’ që është çmimi më i madh i këtij kompeticioni. Ajo njëkohësisht është fituese e shumë çmimeve tjera në rajon dhe Evropë. Ndërsa, pjesa e dytë e koncertit na sjell fitueset e tjera si Elsa Gashi që ka fituar çmimin ‘Ensemble XXI-Lygia O’Riordan’ dhe pianistja Eda Vllaço që ka fituar çmimin ‘Akil Koci’”, ka thënë Badivuku. 

Sipas saj, të gjithë të pranishmit do t’i shohin këto talente të reja dhe artiste të rralla në instrumentet e tyre. Dhe me të vërtetë që kjo ndodhi. Vesa Dume para violinës, Elsa Gashi dhe Eda Vllaço para pianos, kanë shprehur një talent që tregon shumë për të ardhmen e tyre, pra një e ardhme pa mëdyshje drejt suksesit.  

Violinistja Vesa Dume, qe ajo që hapi mbrëmjen fiks në orën 20:12 me një program që zgjati pothuajse tridhjetë minuta. Ishin veprat e kompozitorëve si: Fritz Kreisler, Niccolo Paganini, Frederic Chopin dhe Felix Mendelssohn, që kanë lënë një gjurmë të madhe në këtë mbrëmje. Dhuntia e violinistes Dume, ka dalë përtej përsosmërisë dhe ka arrirë që veprat “Sicilienne & Rigaudon”, “Kapriqo”, “Nocturno No.20” dhe “Koncert në e-mol, koha 3”,  t’i sjellë në mënyrë të mahnitshme.  

E shoqëruar në piano por e vetme në luajtjen e violinës, ajo në skenë ka dëshmuar për një pasion të dukshëm për muzikën klasike. Koka e saj ishte në harmoni të saktë me lëvizjet e duarve e gishtërinjve, ndërsa buzëqeshjet që pasonin pas çdo vepre, ishin sinjalizues për një përfundim me sukses të secilës vepër.  

Në anën tjetër, dy pianistet e radhës, Elsa Gashi dhe Eda Vllaço, thjesht të lënë pa fjalë. Instrumenti bardh e zi, para tyre u shndërrua në një dhuratë të cilën mezi prisnin ta hapnin. Meloditë e pastra, pushtuan hapësirën krejt lehtazi. Ishin veprat si: “Sonata e hënës, op.27, no.2”, “Adagio sostenuto”, “Allegretto”, “Presto agitato” të kompozitorit L.V.Beethoven, si dhe “Toccata” nga Feim Ibrahimi, ato që erdhën nën mjeshtërinë e pianistes Elsa Gashi. Ndërsa, “Scherzo no.2” nga F.Chopin dhe “Elegie, op.3, no.1” nga S.Rachmaninoff u performuan në mënyrë të jashtëzakonshme nga pianistja Eda Vllaço.  

Kështu krejt në fund, ishte publiku që me duartrokitje ka falënderuar këto tri talente të reja që posedonin një talent të rrallë që shumë lehtë vërehej edhe në sytë e tyre, sa herë që ato preknin skenën dhe shfaqnin dashurinë nëpërmjet instrumenteve. 

Kujtojmë se sonte do mbahet koncert për fëmijët me autizëm, me titull “Fëmijët për fëmijë – për njëri-tjetrin”, në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore UP, me fillim nga ora 18:00. 

Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ po mbahet nga 1 tetor dhe do zgjasë deri më 1 dhjetor ku përgjatë 11 mbrëmjeve koncertale do të shfaqet program dhe koncept i larmishëm me performim të veprave kolosale dhe kamertale të artistëve dhe ansambleve kamertale botërore dhe mbarëshqiptare. 

Ky festival do të mirëpresë edhe artistë të tjerë të radhës si: Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala. / KultPlus.com 

Të ngjajshme