1 Prill, 2018 - 12:42 pm
Alberina Haxhijaj
“Vienna World Orchestra”, dy ditë më parë ka zbarkuar në kryeqytet. Një grup muzikantësh që u takuan rastësisht në Vjenë, e që tani mrekullojnë publikun me muzikën që sjellin kudo që shkojnë. Këtë, ata e bënë edhe mbrëmë duke rrëmbyer publikun e Festivalit DAM në një rrugëtim muzikor ku tingujt e tyre thyenin çdo barrierë, shkruan KultPlus.
Edicioni i 13-të i Festivalit DAM, këtë vit me theks të veçantë po sjellë ansamble të përmasave më të mëdha dhe “Vienna World Orchestra” ishte një tjetër përzgjedhje e zgjuar. Kështu në kuadër të festivalit, mbrëmë, në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare erdhi Përplasje III – me pjesëmarrjen e Rina Kaçinarit, Golnar Shahyar, Paul Dangl, Jorg Mikula, Mahan Mirarab, Ariel Ramirez, Simon Schellnegger dhe Efe Turumtay.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler tregoi se shumë gazeta austriake kanë shkruar artikuj për këtë orkestër duke pyetur se a është muzikë Jazz apo klasike, apo mbase muzikë botërore.
“Për ne nuk janë të rëndësishme zhanret e muzikës, ajo që ka rëndësi për ne janë njerëzit të cilët për një arsye apo tjetër janë takuar në Vjenë dhe tani ndajnë kulturën dhe traditat e tyre dhe bëjnë muzikë së bashku. Në një botë ku migrimi është bërë realitet i përditshëm kjo qasje mund të jetë çelësi për një të ardhme të suksesshme, të shohim përtej ndasive dhe të tejkalojmë kufijtë etnik, të fokusohemi në projekte të përbashkëta”, u shpreh ai duke theksuar se kur njerëzit kanë një qëllim të përbashkët, diversiteti shndërrohet në përparësinë me të madhe.
Kosovarja nga “Vienna World Orchestra”, Rina Kaçinarin filloi me shaka hapjen e koncertit duke treguar se anëtarët e grupi janë të lumtur që gjenden në Prishtinë, kurse ajo edhe më e lumtur pasi që mund të thotë çfarëdo dhe ata nuk do arrijnë ta kuptojnë.
“Të gjithë vijmë nga vende të ndryshme dhe merremi me muzikë që nga fëmijëria. Jemi takuar në Vjenë dhe kemi filluar që të luajmë bashkë. Gëzimi më i madh është kur njeriu ka mundësi të mësoj diçka nga kolegët. Gjëja më e mirë është kur ti këndon për herë të parë në Gjuhën Farsi (persiane) apo kur dikush nga Irani apo Turqia këndon në Gjuhën Shqipe. Këto janë gjëra që nuk mund të maten me asgjë në këtë jetë dhe për këtë arsye muzika është një gjuhë universale e cila na lidhë dhe na bashkon të gjithëve. Gjithashtu na bënë që të jetojmë në një botë ku çdo gjë është e mundur nëse njeriu ka vullnet dhe dëshirë”, tha Kaçinari.
Ajo u shpreh shumë e lumtur dhe mirënjohëse për të gjithë që ua mundësuan që të jenë në Kosovë si orkestër për herë të parë.
“Publikut më duhet ti them që këto festival që mbahen e që organizojnë koncerte të tilla duhet që ti ndihmoni dhe t’i ndiqni sepse janë shumë më rëndësi dhe duhet ti çmoni. Këto festival por edhe njerëzit që kanë gjithë këtë energji për të sjellë festival të tilla”, pohoi ajo.
Programi i koncerti përmbante kompozicione të vetë anëtareve të orkestrës. Kështu programi filloi me veprën “Poeti kitarist” të kompozuar nga Paul Dangl për mikun e tij të orkestrës, kitaristin Mahan Mirarab.
Inspirimet e tyre ishin nga më të ndryshmet, dhe të gjitha në një formë lidheshin më jetën e tyre. Kështu, në njërën nga veprat ku të pranishmit patën mundësi të përjetonin më shumë tinguj që vini nga Lindja e Mesme, një ‘lis’ ka qenë inspirim për vokalisten dhe kitaristen e grupit, Golnar Shahyar.
Veprat e tyre dalloheshin edhe për përfshirjen e elementeve të ndryshme nga vendet që anëtarët vini. Disa tinguj që të kujtojnë Kosovën, disa nga Austria, nota nga Irani, Kuba dhe diçka edhe nga Turqia. Orkestra duke pasur në përbërjen e saj anëtarë nga vende të ndryshme, një pjesë e të cilëve kanë kaluar nëpër rrugën e migrimit, arrin të përçojë tingull të tillë duke i mundësuar publikut të zbulojë humanitetin e tyre të përbashkët.
Ndërsa për Kosovën anëtarët e grupin kanë dëgjuar pikërisht nga mikja e tyre Rina Kaçinari. Kështu Efe Turumtay testoi të pranishmit nëse më të vërtet mund ta kuptonin gjersa fliste në gjuhën turke.
“Përpara se të fillojë do të doja që të bëjë një eksperiment. Ju lutem duartrokisni nëse ju e kuptoni se çfarë do të them”, tha ai. Dhe fjalët “Mirëmbrëma” dhe “Mirë se keni ardhur të gjithë”, u shoqëruan me duartrokitje nga publiku.
“Rina më ka treguar që shumica do të më kuptojnë nëse flas turqisht dhe nuk e kam pritur këtë, kështu që ndjehem si në shtëpi. Faleminderit për mirëpritjen dhe kujdesin që keni treguar për ne, u jemi mirënjohës”, përfundoi ai.
Në mesin e veprave erdhën edhe veprat e kompozuara nga Rina Kaçinari. Fillimisht balada “Pa ty” bazuar në ngjarje të vërtetë, një dëshirë që kurrë nuk është realizuar. Kjo mbrëmje e mrekullueshme po ashtu u përfundua në gjuhën shqipe, me elemente dhe fjalë edhe të gjuhëve të tjera përmes këngës “Çika”, dedikuar vajzës së saj nga Kaçinari. Duke përfunduar koncertin me fjalët “Nuk duhet që të harrojmë që vajzat janë pasuri dhe nuk është ndryshe nga të pasurit e një djali”.
Sonte në kuadër të Festivalit DAM nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe do të performojë Filharmonia e Kosovës. / KultPlus.com