4 Nëntor, 2020 - 12:00 pm
Në kuadër të aktiviteteve që po mbahen në këtë periudhë të vështirë pandemie për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, artistja Vikena Kamenica ka dhënë një koncert jo të zakonshëm në hollin e Muzeut Kombëtar. Me zërin e saj të mrekullueshëm dhe në repertor të përzgjedhur, artistja ka risjellë në vëmendjen e publikut disa nga këngët më të bukura tiranase.
Koncerti i titulluar “Nur i bukur të ka ra” dhe që është mbajtur pasditen e se hënës, kishte për qëllim te risillte për publikun një pjesë të këngëve më të bukura të Tiranës.
Ky event u vlerësua si i jashtëzakonshëm sikurse ishte edhe mënyra që Vikena e solli në stilin Jazz. Koncerti që duhej t’i adresohej një salle të madhe, u përcoll për një publik të kufizuar nga detyrimet e situatës së pandemisë.
Një pjesë e mirë e këngëve të cilat u kënduan në këtë mbrëmje, janë sjellë më herët nga emrat më të njohur të traditës tironse, sikurse ështe emri i këngëtares së madhe Fitnete Rexha.
Falënderimet e artistes Kamenica shkojnë edhe për mbështetjen e këtij eventi nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës dhe bashkëpunëtorët dhe kolegët që iu bashkuan asaj si Gent Rushi, Kastriot Tusha etj.
Artistja premtoi se këtë event do ta sjellë sa më shpejt të mundet për të gjithë admiruesit e saj dhe të muzikës jazz. /atsh/ KultPlus.com