Violina, dueti i zëshëm i suksesit të Eritan Kamollit

23 Maj, 2021 - 5:55 pm

Flora Nikolla

Violina është gjithçka për Eritan Kamollin , artistin e njohur të qytetit të Pogradecit , i cili njëherazi me shumë vullnet drejton mëndje –hapur, Qëndrën Kulturore në  qytetin me bukuri liqeni e me ajër plot oksigjen mbushur.

Nuk di të them në se është dashuria që ka Eritani për violinën, pjesë organike e qënies së tij më të cilën komunikon në momente të gëzuara a të vështira, apo dëshira e tij për punën, që ka sjellë që ky institucion kulturor i qytetit të jetë një mozaik i vërtetë aktivitesh kulturore gjithëpërfshirëse, ndoshta nga më të aktivët në Republikë.

Di të them se violinën, e konsideron  mbretëreshën  e instrumentave muzikore, plot magji, mbi të gjitha me shpirt  dhe se,  kimia që ka më këtë instrument që e bën të gjejë  kohën që platforma  e tij si drejtues  i Qendrës  Kulturore  të jetë  e qartë dhe e thjeshtë:  Evidentimi dhe promovimi i vlerave kulturore, bazuar mbi një shkallë të qëndrueshme, të mirë menduar dhe afatgjatë.

“Violina ka vetëm katër tela me të cilat mund të bësh mrekulli nëse gjen raportin midis instrumentit dhe shpirtit”, tregon Kamolli në këtë intervistë në prag të një koncerti kushtuar këngës qytetare popullore pogradecare, që ai me durim po organizon me stafin e Qëndrës Kulturore dhe stafin  e Albanian Excellence, ideatore e krijimit të një kuinteti qe bashkon artistët shqiptarë të këtej dhe andej kufirit.

Sërish them se, ndoshta është kjo magji, ky diapazaon- shpirti që violina i jep Eritan Kamollit,  dhe që më pas e bën kaq të bindur e  durimtar për punën, për zhvillimin e organizimin  e kulturës dhe artit në këtë qytet ku vëmendjen e marrin problemet ditore, vështirësitë ekonomike, pasiguria për të studiuar muzikë  dhe kur prindërit shohin mundësitë e pakta që një artist ka sot.

Duke e njohur mirë qytetin e tij e duke menduar më të mirën pa ngurim Eritani shpreh dëshirën e tij ne kete interviste që në Pogradec të rifillojë shkolla e muzikës, si një mundesi për t’i treguar komunitetit që ka nevojë për art, për artistë dhe për më shumë kulturë .

Pas shumë përvojave me orkestrantë vendas dhe të huaj,  Eritan Kamolli e konsideron  eksperiencën e tij me kuartetin e Albanian  Excellence të një  niveli  tjetër.

“Së bashku me artistët e tjerë të kuartetit kemi gjetur një emocion të përbashkët duke interpretuar si një person i vetëm, në harmoni shumë të mirë me njëri – tjetrin”, tregon ai në këtë intervistë që e mbyll me një nga qëllimet personale dhe objektivat kryesore të institucionit që drejton : “Dëgjoni sa më shumë muzikë, por muzikë të mirë, muzikë të vërtetë”!

F.N: Cila ishtë shtysa qe ju bëri të vendosni  të studioni muzikë?

E.K: Në vitin 1980 në qytetin e Pogradecit në ambientet e shkollës 8- vjecare “Gjokë Shqiptari” për herë të parë po fillonte shkolla e muzikës, në klasat violinë dhe piano. Në qytet u hap lajmi menjëherë dhe u publikuan njoftimet për konkursin e pranimit në këtë shkollë. Si çdo fëmijë, sapo e mora vesh sigurisht që kisha shumë dëshirë të isha pjesë e kësaj shkolle.

F.N:  Ishte një dëshirë personale apo edhe një sygjerim nga prindërit?

E.K:Unë  kisha vetëm dëshirë. Në aktivitetet që organizoheshin në kopësht dhe në Shtëpinë e Pionierit, (Qendra Kulturore e Fëmijëve), me grupin e këngës të fëmijëve të vegjël, kisha qënë shumë aktiv.

Ndaj dhe prindërit vendosën të vazhdoja këtë shkollë duke zgjedhur si instrumentin tim violinën.

F.N: Sa vjec ishit kur morët violinën e parë në duar?

E.K: Pasi fitova konkursin, u rregjistrova dhe menjëherë filluam nga mësimet e para. Kam qenë 6 vjet kur kam vendosur duart në violinë për herë të parë. Më pas vazhdova studimet në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe pas tyre studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura, sot Universiteti i Arteve. Nga ai moment e deri më sot janë të pakta ditet kur unë nuk kaloj kohë me violinën.

F.N: Çfarë është violina për ju?

E.K: Violina është gjithçka për mua. Unë me të qetësohem, argëtohem, flas, e dëgjoj, e pyes dhe ajo më përgjigjet, më ndihmon kur kam momente të mira apo jo të mira, si çdo kush, pra është tashmë një pjesë organike e qënies sime.

F.N: Cili është ndryshimi që ka violina nga instrumentet e tjerë?

E.K: Violina jo më kot është quajtur “Mbretëresha” e instrumentave muzikore. Ajo është e gjallë, e ëmbël, të mbush me energji pozitive,mund të interpretosh lehtësisht çdo melodi, apo këngë që të vjen në mendje.

Është magjike pasi me katër tela mund të bësh mrekulli nëse ke gjetur raportin midis instrumentit dhe shpirtit.

Dhe, a e dini se është i vetmi instrument që ka shpirt? Po, po ka shpirt si ne, prandaj, nëse ti e ndien këtë mund të bëhesh njësh me të dhe pikërisht këtu,  nis mrekullia e saj.

F.N: Duke ju rikthyer shkollës, cilët kanë qënë mësuesit apo pedagogët që sot doje t’u thoje: Faleminderit

E.K: Padyshim që do të falenderoj mësuesen time të parë të violinës znj. Mimoza Minxha. Ajo tani jeton në USA bashkë me familjen e saj. Për tetë vite, mësuese Mimoza më ka mësuar, megjithëse unë nuk isha një fëmijë i lehtë  pasi jo rrallë  kisha më shumë qejf të luaja në oborrin e shkollës. Atëherë  mësuesja vinte më merrte për veshësh (qesh), për të zhvilluar mësimin e violinës.

Më pas sigurisht pedagoget e studimeve  në Liceun Artistik “Jordan Misja në ”Akademi si: zysh Yllka Mishta, prof. Pirro Gjezi, prof. Roland Xhoxhi, e shumë të tjerë gjatë studimeve akademike të cilët padyshim kanë ndikuar direkt në formimin tim si muzikant.

E.K : Cili është repertori juaj i preferuar të cilit nuk do ti thojë kurrë jo për ta interpretuar në cfarë do lloj situate…?

F.N:  Janë materialet e shpejta, virtuoze, më pëlqen gjithmonë të luaj me Violinën, të zbuloj prej saj çdo ditë sekrete, mënyra të reja interpretimi. Mund të përmend Vivaldin, “Katër Stinet” e tij i pëlqej shumë dhe shpesh herë i riorkestroj vetë duke ruajtur bazën për ti sjellë në një variant ndryshe për publikun.

F.N :Po eksperienca juaj më e bukur në karrierën tuaj si violinist…

E.K: Pas shumë përvojave me orkestrantë vendas dhe të huaj, padyshim  pjesëmarrja në Orkestrën Albanian Exellence, Kuarteti i Harqeve, e çon eksperiencën time në një nivel tjetër. Së bashku me artistët e tjerë të kuartetit kemi gjetur një emocion të përbashkët duke interpretuar si një person i vetëm, në harmoni shumë të mirë me njëri – tjetrin.

E.K: A është vështirë të bësh muzikë në periferi?

F.N: Për të qenë i vërtetë po. Kjo jo sepse nuk e pëlqejnë muzikën, por sepse në qytetet tona të vogla vëmendjen më të madhe e marrin problemet ditore, vështirësitë ekonomike, pasiguria për të studiuar muzikë pasi prindërit duke parë mundësitë e pakta që një artist ka sot, ju sygjerojnë ose i orientojnë fëmijët të studiojnë për cfarëdo lloj dege vetëm për muzikë jo. Këto sigurisht që nuk e bëjnë të lehtë!

E.K: Çfarë do të doje të ndryshoje?

Do kisha dashur shumë të rifillonte shkolla e muzikës si dikur. Ajo shkollë vërtet ishte e vogël por do të ishte një mundesi shumë e mirë për t’i treguar komunitetit që ne kemi nevojë për art, për artistë, për të qeshur pak në jetën tonë.

F.N: Bëni pjesë në administratën shtetërore si drejtor i Qëndrës Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec, ju pengon  të studioni violinë …?

E.K: Në fakt jo, pasi gjatë ditës kam kohë mjaftueshëm të përfundoj punët e mia si drejtues institucioni dhe pasditeve të kaloj kohë me violinën. Mendoj është thjesht çështje kimie siç thashë më lart, nëse e gjen shpirtin e përbashkët me violinën e gjen edhe kohën.

F.N: Cila është platforma që keni hartuar për të prezantuar të gjithë spektrin qe parasheh kultura?

E.K: Platforma apo strategjia ime si drejtues në Qendrën Kulturore është shumë e qartë dhe e thjeshtë: Evidentimi dhe Promovimi i vlerave kulturore, bazuar mbi një shkallë të qëndrueshme, të mirë menduar dhe afatgjatë.

Kjo sigurisht që pasohet nga shumë detaje organizative të cilat mbështeten në objektivat për çdo sektor të Qendrës Kulturore.

F.N: Cilat janë disa nga aktivitetet që keni planifikuar për këtë vit?

E.K: Kalendari i aktiviteteve të Qendrës Kulturore është shumë i pasur. Bazuar në kushtet apo mundësitë që do të na japë koha në do të zhvillojmë një sërë aktivitetesh duke filluar me: aktivitete lokale ku në funksion të strategjisë pasi kemi evidentuar artistët vendas, do të promovohen duke ju dhënë hapësirën e nevojshme në prezantimin e tyre, aktivitete kombëtare duke organizuar dhe marrë pjesë në evente kombëtare si p.sh. Festivali i Teatrit të Kukullave “Xinxifillo”, dhe aktivitete ndërkombëtare si “ Konkursi Mbarekombetar  Letërsisë Satiriko- Humoristike Niko Nikolla”, Koloni Ndërkombëtare e Artit Figurativ “Pogradeci Art Colony 2021”, Tur Koncertor i Kuintetit i Albanian Exellence “Luleborë” me pjesëmarrje të artistëve nga diaspora etj.

Këto janë disa nga aktivitetet të cilat përmbushin objektivat në funksion të strategjisë të Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”.

F.N: Ju jeni pjesë e kuintetit Albanian Excellence , e cila parashikon një tur koncertor në qershor… por njëherazi jeni dhe bashkë organizatorë të koncertit që do të organizohet më 6 Qershor ne celjen e sezonit turistik…Cfarë parashikon ky koncert?

E.K: Ky tur koncertor ka qëllim promovimin e vlerave të përbashkëta midis shqiptarëve kudo ndodhen si dhe krijimin e një kulture apo fryme të re muzikore të muzikës sonë qytetare. Nëpërmjet këtij promovimi, ne dëshirojmë të ngrejmë një klimë bashkëpunimi dhe orientimi për të treguar se mundësitë apo talentet tona janë të mëdha por nëse jemi së bashku, mund të bëjmë më mirë.

F.N: A ka qënë një udhë e gjatë për të arritur deri këtu … Sa punë ju është dashur?

E.K: E gjatë dhe e vështirë. Së bashku me stafin e Qendrës Albanian Exellence , prej gati një viti jemi duke planifikuar, menduar, organizuar çdo detaj për mirëfunksionimin e këtij aktiviteti pasi pjesa më e madhe e anëtarëve vijnë nga jashtë Shqipërisë.

F.N: Mendoni se do të ketë një ridimension te ri që do t’i sillet nga ky koncert, këngës qytetare poradecare?

E.K: Ajo që e bën të veçantë këtë koncert, është pikërisht kjo: për herë të parë, këngët qytetare poradecare, korçare dhe nga disa vende të tjera shqipfolëse do të riorkestrohen nga mjeshtri Shpëtim Saraçi dhe do të interpretohen nga kuinteti dhe dy solistët në skenat tona duke krijuar kështu një këndvështrim apo dëgjim tjetër nga ai që jemi mësuar t’i dëgjojmë.Kjo përbën edhe çelësin e suksesit të këtij aktiviteti.

F.N: Keni një mesazh që doni t’i jepni, publikut shqiptar ?

Dëshiroj ta mbyll me një nga qëllimet e mia personale dhe objektivat kryesore të institucionit që unë drejtoj. Shpresoj që të jetë edhe mesazhi i duhur për ju:

Dëgjoni sa më shumë muzikë, por muzikë të mirë, muzikë të vërtetë!/albanianexcellence/ KultPlus.com

Të ngjajshme