2 Qershor, 2021 - 6:28 pm
Kur dy personalitete të njohura të skenës muzikore vendase si shqiptarja, Rina Kaçinari dhe italiania Maria Craffonara bëhen bashkë në një projekt të ri artistik sigurisht që priten me shumë kënaqësi.
Rina, një violinçeliste në Austri dhe Maria në violinë do të japin koncertin e tyre më 6 qershor në Vjenë.
Të dyja vajzat janë rritur mes shkrirjes së kulturave të ndryshme dhe shumëgjuhëshe, me përvojë në skenë në fushën e muzikës klasike dhe me projekte emocionuese të suksesshme dhe ndërkombëtarisht. Të dyja janë edhe kompozitore, teskstshkruese dhe interpretuese të veprave të tyre.
Rina ka nisur të mësojë që fëmijë violinçelin në Prishtinë, dhe nga Kosova është larguar në moshën 15-vjeçare dhe kjo për faktin se nuk kishte një mësues për lëndën e saj në shkollën vendase të muzikës. Ajo përfundoi studimet në Akademinë e Muzikës në Zagreb dhe në universitetin e Artit në Graz, si dhe më vonë studimet për xhaz në universitetin Bruckner në Linz.
Pas diplomimit, Rina nisi të interpretojë si muzikante orkestrale në Maribor Opera, ku për dy vite pati mjaft koncerte si një mënyrë për të kujtuar dhe babain e saj, një kompozitor, dirigjent dhe pionier i skenës së muzikës klasike në Kosovë. Dikur ai i kish thënë se si violinçeliste ajo një ditë të mund të blinte të gjitha çokollatat e botës.
Pas Maribor, Rina u transferua në Vjenë ku nisi jetën si muzikante e pavarur.
Rina Kaçinari luan me kuartetin tango Mala Junta, me Orkestrën Botërore të Vjenës, me muzikanten Eva Jantschitsch aka Gustav. Ajo performon dhe me bashkëshortin e saj, bateristin Jörg Mikula – dhe si soliste. Aftësitë e saj të larmishme ia kalon violonçelistëve të rinj në shkollat e muzikës në Brunn am Gebirge / Maria Enzersdorf dhe Deutsch-Wagram.
Për Rina Kaçinarin, të jesh në gjendje të blesh të gjithë çokollatën në botë sot do të thotë të eksplorosh shumëllojshmërinë e pafund të muzikës në përgjithësi dhe atë të instrumentit të saj në veçanti, të zbulosh vazhdimisht gjëra të reja dhe t’i sjellësh ato në skenë. Në kompozimet e saj ajo tregon histori nga jeta dhe i shoqëron ato me zërin e saj./ KultPlus.com