Violinisti Elvin Hoxha përzgjedhet në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës

11 Shkurt, 2021 - 5:25 pm

Muzikanti me prejardhje shqiptare dhe i njohur botërisht, Elvin Hoxha është renditur në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës në konkursin ndërkombëtar të Kinës, në Shangai.

Ai është vetëm 24 vjeç por me performancat e tij ka pushtuar skenat botërore.

Hoxha ka treguar se që kur ka qenë 4 vjeç, gjyshja e tij dëshironte që të bëhej violinist. Ai u shpreh se më shumë luan në Evropën perëndimore dhe në Turqi.

“Por kam qenë edhe në Shqipëri për të takuar familjarët e babait, por edhe për koncerte, në Shkodër dhe në Tiranë”, tregoi violinisti per “Shqipëria Live”.

Evini tregoi eksperiencen e tij në Rusi: “Isha i ftuar të luaja në Kremlin dhe aty ndodhej Putin, familja presidenciale dhe politikanë. Aty luajta me orkestrën e mrekullueshme. Putin tha se ishte e mrekullueshme, dhe më ftuan në Moskë për disa herë të tjera”, vijoi ai.

I pyetur se pse jeton në Gjermani, duke qenë se është lindur dhe rritur në Turqi, Elvini tha se ka profesorin e tij në këtë shtet.

“Gjermania është një prej vendeve më të rëndësishme për muzikën klasike. Erdha për të studiuar me një profesor shumë të mirë të violinës. Dua që edhe emrin tim ta bëj më të njohur në Evropë”, rrëfeu violinisti.

Gjithashtu Elvini tregoi se ka objektiva për të ardhmen e tij, ai dëshiron që të bëhet një solist.

“Dua të jem një solist, më pëlqen orkestra, por dua të luaj në salla ta mëdha që të luaj vetëm. Dua të jem Elvin Hoxha nga Shkodra, dua të jem vetvetja, dua të krijoj emrin tim”, tha ai, i cili shtroi se për t’u bërë violinist i suksesshëm duhet të punosh të paktën 4-5 orë çdo ditë.

Hoxha tregoi në fund se në prill do të vijë në Tiranë, pasi është i ftuar që të jetë pjesë e një koncerti. / KultPlus.com

Të ngjajshme