3 Tetor, 2022 - 7:45 pm
Mbrëmjen e së premtës, më 30.09.2022, në sallën kamertale të Filharmonisë nacionale të Maqedonisë së Veriut, u mbajt koncerti i katërt me rradhë në kuadër të edicionit të pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup.
Ky koncert i ofroi mundësinë publikut shkupjan, dhe jo vetëm, të ndëgjojë njërin ndër violinistët më të mirë shqipëtarë, Klaidi Sahatçi – karriera artistike e të cilit është e mbushur me arritje dhe interpertime në skenat e mëdha europiane, përmes përvojës si koncertmjeshtër, solist, profesor violine dhe muzikant dhome.
Koncerti i mbrëmjes të së premtës, i ofroi Shkupit, dhe publikut besnik të festivalit “Skupi KamerFest”, që vlen të theksohet, që sa vjen e shtohet në numër, mundësin për të njohur nga afër edhe interpretues të tjerë nga shteti fqinjë, Shqipëria. Nën një atmosferë fillim vjeshte, Shkupi si një qytet me frymë multikulturore, dhe gërshetim të traditave, religjioneve, gjuhës dhe nacionaliteteve ishte mikëpritës i pianistes Merita Rexha Tërshana, e violonçelistit Aristidh Prosi, së bashku me violistin shkupjan, Blerim Grubi.
Duke pasur parasysh karakterin kamertal të festivalit, programi i këtij koncerti në strukturën e tij paraqiti një diagram mes periudhës së romantizmit të hershëm dhe atij të vonshëm, përmes përzgjedhjes së veprave të kompozitorëve kyç të kësaj periudhe – J. Brahms dhe R. Schumann.
Të impresionuar nga biografija e violinistit Klaidi Sahatçi, publiku shkupjan e priti me kurreshtje interpretimin e tij të sonatës për violinë no. 3 në d-mol, op. 108 nga J. Brahms, së bashku me pianisten Merita Rexha Tërshana. Figura qëndrore e të gjithë koncertit, padyshim ishte violinisti Klaidi Sahatçi – interpretimin i të cilit erdhi me përcjelljen e një bagazhi të jashtëzakonshëm teknik, me një artikulim briliant, ku me një lehtësi teknike, dhe një elan pasionant, së bashku me përcjelljen adekuate të pianistes Tërshana, sollën jo vetëm botën emocionale të veprës, por edhe mjeshtërin dhe karakteristikat e materialeve muzikore dhe strukturore me të cilat veçohet Brahmsi dhe sonata e tij e tretë për duo violinë dhe piano.
Nën hijen e pjesës së parë të koncertit, pjesa e dytë solli interpretimin e Piano Kuartetit no.1 në Es-dur, op. 47, nga R. Schumann. Ky kuartet konsiderohet si kryevepër në këtë zhanër, duke vendosur bazament për kompozitorët tjerë që do krijonin tutje. Duke pasur parasysh aurën kamertale të veprës, dhe bashkimin e interpretuesve me përvojë skenike, ata krijuan një performancë estetike emocionale korrekte, por në momente me një siguritet relativ solid në shtjellimin e mbrendshëm të materialeve dhe elementeve që trajton vepra.
Ky koncert, i katërti me radhë i këtij ediconi të “Skupi KamerFest”, edhe njëherë dëshmoi që me shumë kujdes dhe vëmendje e përcjellë jetën kulturore në vend dhe në rajon. Duke i ofruar publikut, mundësin për tu njohur edhe me artist vendas, dhe njëkohësisht duke kontribuar në ngritjen e jetës kulturore, shoqërore dhe artistike, e veçanërisht duke tentuar për të krijuar një traditë të rëndësishme në përcjelljen dhe formimin e skenës muzikore në Shkup./ KultPlus.com