Violinisti Klaidi Sahatçi vjen në festivalin e muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

27 Shtator, 2022 - 10:15 pm

Publiku shkupjan më 30 shtator 2022, do të ketë nderin të dëgjoj një ndër violinistët më të mirë shqiptar. Bëhet fjalë për violinistin nga Shqipëria, Klaidi Sahatçi, karriera artistike e të cilit numëron suksese dhe arritje shumë të mëdha, përcjell KultPlus.

Festivali i muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, në edicionin e tij të pestë, dhe në koncertin e pestë me radhë për këtë edicion, sjell para publikut shkupjan, koncertmjeshtërin e parë të orkestrës Tonhalle të Zyrihut.

Koncerti do të mbahet me 30 shtator 2022, në sallën kamertale të Filharmonisë Nacionale të Maqedonisë së Veriut, me fillim nga ora 19:30.

Me këtë rast, shoqata “Muza”, në një bashkëbisedim të shkurtër me Klaidi Sahatçiun, ai ka mundësuar ta njohim më nga afër rrugëtimin e tij artistik, si dhe emocionet dhe pritshmëritë e tij për koncertin që po vjen.

1. Klaidi për artëdashësit shkupjan, të na tregoni shkurt për gjenezën tuaj nga lindja dhe rrugëtimin tuaj deri në Orkestrën Tonhalle të Zurich-ut?

Sahatçiu: Jam lindur në Tiranë, ku dhe fillova studimet muzikore në moshën 6-vjeçare në shkollën “Dëshmoret e Lirisë” gjatë regjimit totalitar. Më tej në moshën 16 vjeçare studiova në Liceun Artistik “Jordan Misja” violinë me Mamica Abazin dhe më pas me Klodiana Skenderin.

Në moshën 20 vjeçare me rënien e regjimit u zhvendosa në Itali për të vazhduar të pasuroj njohuritë në Konservatorin “G.Verdi” të Milanos ku pas dy vitesh mora diplomën me notën më të lartë cum laude dhe Mansion Nderi.

Pas kësaj, pas një audicioni jam pranuar dhe kam studiuar me maestron Salvatore Accardo në akademinë “W. Stauffer” të Kremones dhe më tej me profesorin rus Boris Garlitzky në Lion te Frances në disa masterklase dhe mësime private.

Para se të fitoja pozicionin prestigjioz të Koncertmasterit të Parë të Orkestrës Tonhalle në Zyrih në vitin 2010, kam mbuluar pozicione te tilla si: Violon Solo i Orkestrës Kombëtare të Lionit, assistent Koncermaster i Orkestrës se Zvicrës Italiane, Koncertmaster i parë i Orkestrës së Dhomës së Zyrihut dhe Koncertmaster i Parë i Orkestrës së Teatrit Scala në Milano dhe Orkestrës Filarmonike të Scalës.

2. A jeni për herë të parë në Shkup dhe Maqedoni të Veriut, dhe si po e pritni bashkëpunimin me artistët shqiptar që do te keni në festivalin “Skupi KamerFest”.

Sahatçiu: Vij për herën e dytë, pasi disa vjet më parë kam luajtur me pianisten Merita Rexha Tershana për Festivalin e Ohrit ku jam pritur shumë mirë si nga organizatorët dhe nga publiku .

Ftesa për këtë koncert më entuziazmon dhe jam kurioz dhe i motivuar të luaj me kolegët dhe miqtë shqiptarë Merita, Blerim dhe Aristidhin, dhe të zbuloj dhe të ndjej nga afër atmosferën e Shkupit./Nora Bajrami – Muzikologe/ KultPlus.com

Të ngjajshme