17 Shkurt, 2018 - 6:57 pm
Alberina Haxhiaj
Petrit Çeku dhe Klajdi Sahatçi kanë sjellë mbrëmë në Prishtinë një atmosferë të ngrohtë, me koncertin e tyre në kuadër të festimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Violinisti Klajdi Sahatçi dhe kitaristi Petrit Çeku, kanë sjellë disa herë vepra së bashku, mirëpo bashkimi i tyre për herë të tretë në koncertin e organizuar nga Ambasada e Francës dhe Arda Rei, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, i dhuroi tingujt më të bukur këtij organizimi.
Klajdi solli një copë Shqipëri në Prishtinë përmes lëvizjeve të tij në violinë, kurse notat e tij të fuqishme tregonin se sa e fuqishme është edhe lidhja e tij me Kosovën. Në anën tjetër kitaristi Petrit Çeku dëshmoi përsëri aftësitë e tij para vendlindasve. Çeku i cili mësimet e para në kitarë i mori nga kitaristi Luan Sapunxhiu, nuk nguroi të shfaqte se emocionet më të veçanta ia dhurojnë bashkëkombësit e tij.
Klajdi Sahatçi në këtë koncert shfaqi gjithë dashurinë e tij për Kosovën, njëlloj siç kishte bërë në adoleshencën e tij. Ai duke qenë se ishte në Francë gjatë kohës kur në Kosovë ndodhi lufta dhe gjenocidi, ndihmoi refugjatët kosovarë të cilët gjetën strehë ne vendin ku Sahatçiu tashmë po hidhte edhe hapat e tij drejtë suksesit ndërkombëtar.
“Kam qenë në Francë kur kosovarët kanë ardhur atje si refugjatë, dhe më kujtohet edhe që kam mbledhur para për ‘Kryqin e Kuq’ për të ndihmuar kosovarët. Duke kujtuar këtë fazë mu kujtuan të gjithë këto gjëra në këtë përvjetor të Pavarësisë dhe u ndjeva shumë i lumtur që arrita të jap kontributin tim. Duke pasur edhe këto kujtime, dhimbjen dhe duke kujtuar ato që populli kosovar ka kaluar, jam i lumtur që pata mundësin që t’ju jap pak kënaqësi dhe pak gëzim njerëzve që ishin të pranishëm”, u shpreh violinisti për KultPlus.
Në këtë koncert erdhën vepra nga kompozitorët Niccolo Paganini, Bele Bartok, Thomas Simaku dhe Astor Piazzolla. Siç u shpreh edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, dhjetë vite mund të jenë pak për një vend të vjetër si vendi i tij, por nënkuptojnë shumë për një shtet të ri siç është Kosova.
Kurse pikërisht kjo e fundit ka shumë punë përpara. Violinisti Klajdi Sahatçi i cili do të rikthehet përsëri në Kosovë në kuadër të Chopin Piano Fest, shtoi se të gjithë duhet të ndihmojnë në zhvillimin e skenës kulturore.
“Në jetën kulturore në Kosovë dhe Shqipëri nuk diskutohet që ka përpjekje për të bërë gjëra sa më shumë, ndonjëherë më cilësore, ndonjëherë jo aq cilësore po e rëndësishme është që ka përpjekje. Mendoj që institucionet duhet të na ndihmojnë më shumë pasi që është punë buxheti por jo vetëm institucionet por edhe të tjerët, madje edhe biznesmenët kushdo që munden, të sensibilizohen për t’i dhënë më shumë jo vetëm muzikës klasike por artit në përgjithësi”, përfundoi ai.
Koncerti u shoqërua me duartrokitje dhe bëri që dy instrumentistët të ktheheshin edhe një herë në skenë për të falënderuar publikun.
“Jam shumë i kënaqur që e pata këtë hapësirë që të jem prezent gjatë 10-të vjetorit të Kosovës ashtu siç isha shumë i kënaqur që para disa viteve isha prezent në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, mendoj që duhet të gjithë ta shohim këtë festë me pozitivitet më të madh. Klajdi Sahatçiu është një muzikant i klasës së parë, një artist që ka një kompetencë të jashtëzakonshme dhe e merr vëmendjen e të gjithëve, prandaj edhe është kënaqësi e veçantë që të bashkëpunoj më të. Unë gjithmonë e shfrytëzoj rastin që nga këto koncerte të marr mësim nga ai”, u shpreh Çeku për KultPlus.
Kitaristi Petrit Çeku i cili me tingujt e tij që buronin nga kitara e ndërtuesit Ross Gutmeier mori në një udhëtim të bukur muzikor të pranishmit në këtë koncert, theksoi se veprat artistike janë ato që e mbajnë kulturë, e një vendi gjallë ndër vite.
Vitet kur Kitaristi Petrit Çeku ka qenë në Kosovë, e që kanë qenë disa vite pas luftës, kanë pasur ndikim mbi kitaristin i cili bëri thirrje që idetë artistike të cilat kanë qenë frytdhënëse në Kosovë të përkrahen më shumë.
“Puna që e kanë bo festivalet e muzikës klasike, si ReMusica, DAM-i, Festivali i Muzikës Kamertale dhe të tjerë është diçka e jashtëzakonshme dhe që ka ndikuar në mua posaçërisht. Madje disa ministri të kulturës nuk munden ta bëjnë një punë kaq të frytshme sa bëjnë këto festivale në Kosovë. Mirëpo po e shoh që fatkeqësisht nuk e kanë përkrahjen e duhur . Ajo që kisha dashur që të apeloj në Kosovë është që të mbështetet vazhdimi i një ideje që ka qenë frytdhënëse gjatë viteve. Prandaj një festival i cili që 15-të vite ka krijuar gjëra jashtëzakonisht të rëndësishme duhet të mbështetet dhe duhet të jetë prioritet pasi prapa qëndron një rezultat i jashtëzakonshëm dhe përpara do të jetë një sukses edhe më i madh nëse mbështetja vazhdon. Kjo vlen edhe për Filharmoninë e Kosovës e cila po bën një punë shumë të mirë. Unë gjithmonë me shumë kënaqësi edhe po i përcjellë koncertet kur po jam në Prishtinë, dhe ajo që na nevojitet është salla koncertale”, u shpreh ai për KultPlus. / KultPlus.com