Violinisti Tedi Papavrami, me koncert recital në Tiranë

16 Qershor, 2022 - 1:04 pm

Violinisti i famshëm shqiptar Tedi Papavrami rikthehet në skenën e kryeqytetit, në datën 19 qershor për një koncert recital me violinë dhe piano. Pjesa e tretë dhe e fundit e sonatave për violinë dhe piano të Beethoven vjen interpretuar nga Papavrami dhe François-Frédéric Guy.

Vlorent Xhafaj drejtor artistik i festivalit “Different Trains” bën me dije se këtë mbrëmje programi përmban vepra nga Ludwig van Beethoven, për të mbyllur ciklin e plotë të sonatave të autorit të madh gjerman.

“Koncerti është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze dhe mbahet në kuadër të  hapjes së festivalit muzikor “Different Trains” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, datë 19 qershor, ora 20.00”, shprehet ai në njoftimin për festivalin.

Biletat gjenden në www.myticket.al. Festivali “Different Trains” është një prej aktiveve muzikore që zhvillohet në vendin tonë prej disa vitesh, ku në skenë janë ngjitur artistë të njohur të huaj dhe shqiptarë.

Tedi Papavrami në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker,etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J.C. Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj, si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme