8 Prill, 2025 - 9:21 pm
Violinistja e re Melisa Figuri mbajti recitalin e saj të parë në Pallatin e Kulturës në Lezhë, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me emocion dhe tinguj magjikë të muzikës klasike, në prani të Orkestrës së Harqeve të Radio Televizionit Shqiptar.
Pas prezantimeve në disa koncerte, muzikë dhome dhe aktiviteteve të shumta, nxënësja e klasës së 8-të në shkollën “Besëlidhja” të Lezhës kaloi në një tjetër nivel performance, recitalin e saj.
Kjo ishte po ashtu një mbrëmje e paharrueshme për artin dhe kulturën në Lezhë, pasi për herë të parë në këtë skenë performoi edhe Orkestra e Harqeve e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës.
E shoqëruar nga Orkestra e RTSH-së, violinistja Melisa Figuri interpretoi me mjeshtëri vepra nga Vivaldi, Sarasate, Açolay dhe Kreisler, duke krijuar një atmosferë të veçantë për artdashësit.
Publiku e priti me ovacione dhe duartrokitje të zjarrta, duke vlerësuar talentin dhe interpretimin e saj të ndjerë.
Duke përshëndetur këtë event artistik, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha se “shkolla ‘Besëlidhja’ nga burojnë këto talente është garanci për jetën artistike të Lezhës dhe vazhdimisht do të ketë mbështetje në rrugëtimin e tyre”.
“Melisa është një nga ato talente që unë kam pasur fatin ta ndjek dhe të shoh rritjen e saj artistike. Prania e Orkestrës së RTSH-ë është dëshmi që po shoqërojnë një artiste në skenë dhe e konfirmuar kjo. Jam i bindur se ne do ta shohim atë në skena të mëdha dhe ky rrugëtim ka nisur. Bashkia e Lezhës do të jetë vazhdimisht në krah të talenteve për të ndjekur hap pas hapi rrugën e tyre”, siguroi Ndreu.
Dirigjenti Gridi Kraja u shpreh i impresionuar nga performanca e violinistes së re dhe atmosfera artistike që gjeti në Lezhë.
“Nuk kisha mbajtur asnjëherë koncert në Lezhë dhe jam i surprizuar dhe me një publik që e ndjek muzikën klasike. Luajtëm me një soliste që premton shumë për moshën e saj dhe luan violinë në mënyrë të jashtëzakonshme”, vlerësoi ai.
Në përfundim të recitalit, Melisa Figuri falënderoi publikun për mbështetjen dhe emocionet e përjetuara, duke theksuar se violina është dhe do të mbetet rrugëtimi i saj artistik.
“Sollëm një koncert me pjesë të kompozitorëve shumë të njohur dhe që publiku lezhjan i mirëpret. Kam dhënë maksimumin tim dhe shpresoj të kem shkuar në zemrat e publikut dhe t’i kem kënaqur. Ishte një punë shumë e madhe e realizuar së bashku me mësuesin tim Fatjon Memaj për të ardhur në këtë ditë dhe ishte emocionuese të kisha në krah një orkestër kaq të njohur siç është Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, e aq me tepër të kisha mbështetjen e dirigjentit Gridi Kraja në realizimin e këtij recitali. Ëndrra ime po realizohet dalëngadalë dhe violina do të jetë shoqëruesja ime e përhershme, por kam shumë dëshirë dhe do të punoj shumë që jem në skena edhe më të mëdha”, u shpreh violinistja e re. /atsh/ KultPlus.com