11 Prill, 2018 - 12:45 pm
Alberina Haxhijaj
Chopin Piano Fest Prishtina solli në natën e katërt të edicionit të 9-të, një gërshetim pasionant në Prishtinë. Violonçelistja Latica Anić dhe pianisti Lovre Marušić, miq që nga fëmijëria, treguan muzikalitetin e tyre në këtë natë ku u shpalosën vepra të epokave dhe stileve të ndryshme, shkruan KultPlus.
Në mes të instrumentistëve vërehej një kimistri e jashtëzakonshme muzikore. Në fytyrat e tyre të pranishmit mund të vërenin se ata muzikën e përjetonin ndryshe, mirëpo,tingujt që krijon përputheshin aq bukur dhe përcjellin një pasion të jashtëzakonshëm.
Të rritur në të njëjtin qytet në Kroaci, violonçelistja Latica Anić dhe pianisti Lovre Marušić kanë filluar që të luajnë në këto instrumente që kur ishin fëmijë, duke interpretuar shumë herë edhe së bashku. Madje, kur ishin 14 vjeçar ata kanë mbajtur edhe koncertin e tyre të parë si një dyshe. Mirëpo rrugët e tyre janë ndarë. Pianisti Lovre Marušić ka vazhduar studimet e tij në Rusi ndërsa violonçelistja Latica Anić në Francë.
Kështu pas më shumë se gjashtë viteve këta dy miq fëmijërie janë bërë së bashku në Prishtinë duke sjellë një koncert mahnitës në kuadër të Chopin Piano Fest. Me të përfunduar koncerti violonçelistja Latica Anić në intervistën e saj për KultPlus e quajti këtë koncert një ribashkim të këndshëm.
“Gjatë lojës mund të ndjehen vitet që nuk kemi luajtur së bashku prandaj ishte edhe një freskim, një fillim i ri. Ky koncert ishte siç thotë një shprehje në kroatisht “një tush i nxehtë” të cilën nuk di sesi ta sqarojë. Mirëpo presim që të rikthehemi përsëri në Prishtinë si pjesë e këtij festivali apo me koncerte të tjera”, tregoi ajo duke shtuar se ky koncert e ka shtyrë që të kujtonte kohën kur vet ishte studente.
“Unë nuk jam ndjerë dhe aq mirë pasi që kam ardhur pas një udhëtimi të lodhshëm dhe të komplikuar dhe reagimi i publikut ishte shumë emocionues për mua. Është hera e parë dhe ky festival ka një atmosferë shumë të mirë, për këtë kisha dëgjuar edhe më parë, prandaj jam krenare që isha pjesë e tij. Mund të tingëllojë si një klishe mirëpo duke parë kaq shumë të ri të cilët pastaj erdhën dhe na përgëzuan mu kujtua koha kur unë vet isha studente”, tha violonçelistja.
Fillimisht para të pranishmëve ata sollën variacionet nga Beethoven të cilat nuk janë edhe shumë të njohura dhe kjo ishte arsyeja edhe pse instrumentistë i kishin zgjedhur ato. Madje për violonçelistën kjo ishte hera e parë që interpretoi këtë vepër. Mbrëmja vazhdoi me “Fantasiestucke, op. 73” të kompozitorit Schumann, kompozitor që e kanë për zemër të dy instrumentistë.
Pjesa e dytë solli sonatën e parë të kompozitorit Brahms, një pjesë kjo e vështirë për interpretuesit teknikisht por edhe muzikalisht. Pjesë klasike në repertorin për çelo, një pjesë e cila nxjerrë në pah me emocionet e brendshme. Duke përfunduar me veprën pasiononte “Le grande tango” nga Piazzolla, vepër për dashurinë e pasionin, që është një pjesë e preferuar për shumë muzikantë.
Në anën tjetër ky koncert ka qenë shumë mbresëlënës edhe për pianistin Lovre Marušić. Ai pret më padurim ditën e nesërmen ku edhe dëshiron që të eksplorojë më shumë Prishtinën. Ndërsa i entuziazmuar nga prania e të rinjve në koncert, ai tha se ata asnjëherë nuk duhet që ta harrojnë vendin e tyre pavarësisht sukseseve që mund të arrijnë jashtë tij.
“Çdo herë kur shkon në një vend për herë të parë ke një përgjegjësi të madhe, por çdo herë është mirë që të shohësh njerëz të ri në publik. Të jesh vet i ri dhe të kesh një publik të ri po ashtu, është gjithmonë një ndjenë e mirë. Ndërsa nesër e kemi një ditë të lirë dhe dëshiroj që të eksploroj më shumë Prishtinën… Shpresoj që të kem një karrierë të suksesshme dhe të kthehem në vendin tim, kjo duhet që të jetë ideja e çdo njeriu të mirë dhe muzikanti të mirë. Nuk duhet vetëm që të arrish të jesh më i miri në vendin tënd dhe pastaj të largohesh. Ideja është që të krenohesh për vendin tënd, të rinjtë nga Kosova posaçërisht për shkak të historisë që ka ky vend duhet që të jenë shumë krenarë”, tha ai për KultPlus.
Ky koncert është mundësuar në bazë të bashkëpunimit që ka festivali më Ambasadë e Kroacisë në Kosovë. Kështu Ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanović, u shpreh se sjellja e artistëve dhe ky shkëmbim kulturor është i rëndësishëm pikërisht për të rinjtë.
“Ky është viti i tretë që bashkëpunojmë me festivalin Chopin Piano Fest Prishtina. Qëllimi është që të sjellim këtu artistë të ri, t’i bëjmë që të njohin edhe artistë të tjerë të ri. Këtu shoh një audiencë shumë të re dhe faktikisht kjo është ajo që këta të rinj kanë nevojë, të krijojnë kontakte me artistë të tjerë”, është shprehur ajo duke theksuar se kjo arrihet pikërisht përmes muzikës pasi që nuk ka nevojë për sqarime, njerëzit duhet thjeshtë të dëgjojnë.
Nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në kuadër të këtij festivali do të performojë pianistja Marija Gjosevska./ KultPlus.com