20 Dhjetor, 2020 - 12:47 pm
Treshja “Visar Kuçi Trio” së shpejti do t’i gëzojnë artdashësit e tyre nëpërmjet publikimit të albumit të tyre të dytë, shkruan KultPlus.
Ky album premiera e së cilës do të jipet më 22 dhjetor ka emrin “Departures” dhe do të promovohet nëpërmjet një koncerti në Kino Armata në Prishtinë.
I përbërë nga tetë krijime artistike të kompozuara nga Visar Kuçi, brenda albumit që i takon zhanrit modern jazz është edhe kënga “Departures”, nga i cili edhe e ka marrë emrin albumin.
Ky album është dedikim për Elmir Taranin, njërin prej përkrahësve më të mëdhenj të trios,ndërkaq emërtimin e kanë simbolik dhe aktual me gjendjen e krijuar në glob.
“Departures”, në gjuhën shqipe, në terminologjinë e fluturimeve, përkthehet si “Nisjet”, mirëpo ka edhe kuptime të tjera si: largim ose shmangie. “Departures” (Nisjet) gjatë këtij viti ishin pothuajse plotësisht të ndaluara për të gjithë, gjë që e bën krijimin muzikor të hapësirave të reja nga trio edhe më domethënës”, thuhet në njoftimin e trios.
Në anën tjetër, albumi është incizuar në Stamboll në “Hayyam Studio” në nëntor të vitit 2019, teksa gjendja e krijuar nga pandemia bëri që planifikimet e publikimit në qershor të shtyheshin për në dhjetor.
“Albumi i takon zhanrit “Modern Jazz” dhe është një përfaqësim i shumë stileve apo nën-zhanreve të muzikës jazz. Kryesisht ka karakter minimal me tema të shtrira që krijojnë hapësirë meditative për dëgjuesin”, thuhet tutje për albumin e ri të Trios.
Përderisa albumi do të publikohet në formë të CD-së, ai do të jetë prezent edhe në platformën muzikore Spotify.
Dizajni i mbështjellësit është punuar nga Nita Salihu – Hoxha dhe është përfaqësim i drejtpërdrejtë i konceptit muzikor që ka ky album, teksa audio miksimi dhe masterizimi është realizuar në Prishtinë, nga Tomor Kuçi.
“Visar Kuçi Trio” u formua ne vitin 2013 nga Visar Kuçi në kitarë, Enver Muhamedi në kontrabas dhe Enes Bajramliqi në tupana.
Këtu mund të gjeni linkun e promo videos për koncertin e trios: https://youtu.be/xALRlHn_1vk / KultPlus.com