Vivaldi ka shkruar operë për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun

4 Mars, 2023 - 10:15 pm

Lista e kompozimeve rralla të kryera nga Antonio Vivaldi përfshin dhe operën “Skënderbeu”. Shfaqja e parë e kësaj opere u realizua në Teatro de la Pergola në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Ajo përuroi rihapjen për publikun të këtij teatri. Libreti u shkrua nga Antonio Salvi, libretisti i preferuar i Dukës së Toskanës, Ferdinando de’ Medici, nga familja e njohur e Mediçëve. Ngjarjet zhvillohen në muret e Krujës në rrethimin e parë të saj në 1450, ndërsa qyteti është i rrethuar nga trupat turke që drejtohen nga sulltan Murati. Ushtarët otomanë kapin rob Donikën, ndërsa Skënderbeu i shqetësuar rrëmben vajzën e sulltan Muratit duke menduar që konflikti të zgjidhej me këmbimin e dy robëreshave. Në fund Skënderbeu e çliron vetë Donikën e tij me trimëri dhe kritikët mendojnë se ka Vivaldi ka dhënë me këtë opera triumfin e dashurisë dhe burrërisë shqiptare.

Si shikohet subjekti është melodramatik, ku nuk mungojnë intrigat dhe zgjidhjet “Deus ex machina”, karakteristike për artin barok të kohës. Në fakt është një Skënderbej tjetër nga ai që jemi mësuar të shikojmë në artin shqiptar. Në artin europian të kohës nuk ishte fort i rëndësishëm epizmi i karaktereve sesa lirizmi dhe fryma kalorësiake e kohës. Fakti që Vivaldi zgjodhi Skënderbeun si subjekt të operës për këtë rast të rëndësishëm, konfirmon ndikimin që kishte ende në Evropë heroi ynë kombëtar pothuajse 300 vjet pas vdekjes së tij. Ai ishte përfytyruar gjithmonë si një hero europian , “mik i virtytit dhe jo i fatit” si shprehej dhe vet Skënderbeu në letrën e tij të famshme dërguar Ferdinantit të Napolit. /KultPlus.com

Të ngjajshme