24 Qershor, 2018 - 9:08 am
Turtle Fest prej tashmë disa muajsh ngacmon duke publikuar disa nga emrat të cilët do i japin ritmin kësaj vere që pret të bëhet e paharrueshme. Ky festival shumë i dashur, nga audienca lokale, rajonale dhe jo vetëm, publikoi listën e plotë të emrave do të performojnë.
Këtë herë, breshka ka ndarë artistët në dy kategori të mëdha: International Acts dhe Local Heroes.
Tek grupimi ndërkombëtar gjejmë emra të cilët ndoshta vetëm pak vite më parë as nuk e kishim menduar që do vinin në vendin tonë! Dub FX rikthehet për të na kujtuar përse nata tek Minus 1 ishte më e bukura që kemi patur deri tani në qytet! Sa prej jush mezi presin të rijetojnë energjinë e jashtëzakonshme që ai përcjell? Shonky është një tjetër emër i cili do zbresë në Dhërmi në ditët midis koncerteve të tjera ku do jetë pjesë si ai në Moskë, Berlin dhe Ibiza. Sabb është pjesë e emrave ndërkombëtarë po aq sa është heroi ynë lokal, duke qenë se prej tashmë shumë vitesh është kthyer në etalon suksesi dhe muzike të mirë.
Nickodemus dhe Nappy G janë prurjet më të reja të këtij edicioni, muzika e të cilëve e ka bazën në Neë York dhe tashmë secili prej tyre ka shpëndarë ritmin e tij autentik në të gjithë botën. Nga Mbretëria e Bashkuar vjen legjenda absolute e rrymës drum’n’bass: Dj Aphrodite! Por jo vetëm kaq, Dj Vadim do jetë ai që do ju bëjë të mos ndalni asnjë moment kërcimin me hip-hop-in që vetëm një djalë rus i rritur në Londër mund të sjellë [seriozisht, jemi shumë kuriozë!]. E treta që vjen nga UK është zbulimi absolut i Turtle Fest për këtë edicion! Qëndresa është talenti më i ri shqiptar i rritur në Londër, e cila për herë të parë do performojë në një festival në Shqipëri, dhe do e bëjë këtë pikërisht në skenën e Turtle Fest 7!
Italia na sjell Andrea Mi dhe Afreak! Andrea Mi nuk është aspak i panjohur, pasi herën e fundit që performoi në Tiranë na dhuroi emocione të papërshkrueshme për të cilat ende flitet. Ata që ishin e dinë. Ata që nuk e dëgjuan dot, nuk mund ta humbasin! Dj Afreak premton të sjellë rrënjët afrikane në skenën moderne, dhe ne nuk kemi çfarë të kërkojmë më shumë se kaq në një natë vere!
Joel është dhe emri i fundit i publikuar në listën e artistëve ndërkombëtarë të cilët do jenë në edicionin e shtatë të Turtle Fest. Ai vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe do na fusë në Beefzone [gogle it!]!
Mbërrijmë kështu tek heronjtë tanë lokalë, djemtë që e kthejnë natën në ditë, arratisja jonë e vetme drejt një botë plot ritëm dhe ngjyra! Secret 47, Noki, RRRRon dhe Liburni janë DJ-të që vijnë në Tiranë herë pa here për ta sjellë një copëz nga shija e tyre e pakrahasueshme muzikore. Nëse gjithmonë kemi menduar që duhet të performojnë më shpesh dhe në skena më të medha, le të themi që Turtle Fest është përgjigja e kërkesave tona.
Për të prezantuar Tatu, Leo Ciko, Ad Disha apo Dj Cool do na duhej një natë dimri! Pionerët e jetës së natës dhe muzikës së lirë në Shqipëri janë ata që kanë hapur rrugët mbi të cilat tashmë ngrihet kultura jonë e muzikës urbane, dhe për këtë do u jemi gjithmonë mirënjohës.
Chriss V, Erblin Bajko, Positive Cuts dhe dyshja e paparashikueshme The Funky Villainz nuk janë aspak emra të rinj për ne, përkundrazi. Nëse gjithmonë janë “lezeti” i fundjavave në qytet, këtë herë do jenë shtylla të forta të cilat do e plotësojnë Turtle Fest 7 në dimensionet e një festivali të madh dhe gjithëpërfshirës!
Kjo ishte dhe lista e plotë e artistëve, sepse nuk po flasim për Dj të thjeshtë, por për muzikantë që vetë jetën e tyre e kanë kthyer në një deklaratë lirie!
Turtle Fest 7 do mbahet në fundjavën e parë të muajit korrik, konkretisht në datat 6,7 dhe 8 të këtij tij.
Ai do sjellë muzikën më të mirë lokale dhe ndërkombëtare në bregdetin e pakrahasueshëm të Shqipërisë.
Jo thjesht si një fundjavë argëtuese, përgjatë këtyre 6 edicioneve, Turtle Fest është rritur tashmë në një eksperiencë unike e cila njëkohësisht promovon artin dhe kulturën urbanë në vend dhe në botë, duke u kthyer kështu në arratisjen më të shumëpritur të sezonit veror./ KultPlus.com