15 Shkurt, 2021 - 2:31 pm
Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e shquar Enver Shëngjergji, me motivacionin “Me mirënjohje ndaj kontributit artistik dhe vlerave të çmuara në pasurimin e muzikës shqiptare, si një kompozitor autentik me një larmi të pafundme këngësh e melodish të paharrueshme. Me vlerësim për përkushtimin e rrallë gjatë gjithë jetës së tij ndaj muzikës së lehtë dhe veprave muzikore, me vlera bashkëkohore, profesionalizëm dhe qytetari të spikatur”.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” edhe kompozitorin dhe mjeshtrin e korit shkodran Zef Çoba: “Në vlerësim të talentit të spikatur dhe personalitetit të gjithanshëm të shpalosur në fushën e kompozimit të veprave muzikore, si dhe në trajtimin me profesionalizëm të këngës me tradita shkodrane. Me mirënjohje mjeshtrit të rrallë të muzikës shqiptare, i cili nëpërmjet muzikës dhe veprave të tij artistike, ka lartësuar me dinjitet emrin e kombit shqiptar anembanë botës”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoni, u shpreh se Shëngjergji dhe Çoba janë dy personalitete të shquara të artit e muzikës shqiptare teksa u ndal më gjatë tek figura e secilit prej tyre.
FJALA E PRESIDENTIT META
“Është kënaqësi të jemi bashkë, për të vlerësuar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, dy personalitete të shquara të artit e muzikës shqiptare, kompozitorin Enver Shëngjergji dhe mjeshtrin e korit dhe kompozitorin Zef Çoba.
Emri i kompozitorit të shquar Enver Shëngjergji, në memorien tonë, është i lidhur me Festivalet e Këngës në Radio Televizion dhe me shumë këngë të bukura të muzikës sonë të lehtë, si ‘Vajzat e fshatit tim’, ‘Nën kurorën e ullirit’ apo ‘Lulet e mollës’.
Përkushtimi shumëvjeçar si kompozitor ka sjellë në skenat më të rëndësishme të këngës së lehtë, por edhe asaj popullore, krijimtarinë e tij tepër profesionale, të veçantë e origjinale, e pëlqyer gjerësisht nga spektatori shqiptar.
Shumë nga këngët e kompozuara nga zoti Shëngjergji kanë hyrë tashmë në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, me një stil tepër të veçantë e karakteristik.
Krijimtaria e zotit Shëngjergji ka prekur të gjitha temat e kohës, por tema për të cilën është dalluar më shumë ka qenë ajo rinore, duke e bërë kështu, shumë të pëlqyer veçanërisht për rininë e kohës.
Kompozitori Enver Shëngjergji ka dhënë një kontribut të madh edhe në shumë veprimtari kulturore e artistike kombëtare dhe ndërkombëtare, si drejtues artistik, duke arritur nivele të larta cilësore e duke prezantuar me dinjitet muzikën shqiptare të lehtë dhe popullore.
Zoti Shëngjergji, sot, pas një karriere mbi 40-vjeçare, vazhdon të mbetet ngushtësisht i lidhur me muzikën, duke kërkuar promovimin dhe vlerësimin e muzikës së mirëfilltë shqiptare dhe njohjen me themel të muzikës sonë popullore, nga të gjithë brezat e kompozitorëve dhe këngëtarëve të rinj shqiptarë.
Për të, nëse kompozitorët nuk njohin muzikën e popullit tonë, nuk kanë për të krijuar kurrë muzikë shqip.
Duke vlerësuar gjithë krijimtarinë e suksesshme të kompozitorit Enver Shëngjergji, përkushtimin e kontributin e tij për muzikën e lehtë dhe atë popullore shqiptare e vlerësoj me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.
Mjeshtri i korit dhe kompozitori Prof. Zef Çoba është një personalitet tjetër i muzikws shqiptare, i shquar për kontributin e jashtëzakonshëm, pedagog i suksesshëm dhe fitues i shumë çmimeve e vlerësimeve gjatë karrierës së gjatë artistike.
Dashuria për trashëgiminë e pasur folklorike kombëtare dhe veçanërisht, për qytetin e tij të lindjes Shkodrën, e kanë frymëzuar për të kompozuar shumë këngë qytetare shkodrane.
Zoti Çoba është kompozitor i shumë pjesëve të ndryshme vokale dhe instrumentale, i muzikës së 16 filmave artistikë, muzikë për teatër, këngë për fëmijë, shumë prej të cilave kanë fituar popullaritet të madh.
Por, pa asnjë dyshim, zemrat tona ngrihen peshë dhe krenaria për kombin tonë të lashtë shqiptar, është e jashtëzakonshme, kur dëgjojmë dhe këndojmë vargjet e këngës, që ka fituar popullariteti të jashtëzakonshëm si ‘Xhamadani vija-vija’, këngë e kompozuar nga Zef Çoba.
“Xhamadani vija vija/ asht Kosova o asht Shqipnia/ rreh si zemër çiftelia/ oh sa e madhe asht Shqipnia”.
Zoti Çoba ka një aktivitet artistik e kulturor shumë të rëndësishëm, me pjesëmarrje në veprimtari të shumta kombëtare e ndërkombëtare.
Kontributi i tij në gjallërimin e jetës artistike të qytetit të Shkodrës është shumë evident.
Për gjithë kontributin e tij, për talentin e spikatur dhe personalitetin e gjithanshëm në fushën e kompozimit të veprave muzikore, kam kënaqësinë të vlerësoj sot, zotin Zef Çoba me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.
Faleminderit!” / KultPlus.com