7 Prill, 2019 - 9:30 am
Bruce Dickinson, vokalisti i grupit të muzikës heavy metal, Iron Maiden, ka marrë titullin “Qytetar Nderi” në Sarajevë të shtunën, në shenjë vlerësimi për një koncert që ai luajti atje gjatë rrethimit të qytetit.
Dickinson e çoi grupin e tij në kryeqytetin boshnjak në dhjetor 1994, duke udhëtuar me një autokolonë ndihmash të shoqëruar nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara. Në atë kohë, qyteti ishte ende nën rrethimin 44-mujor të trupave serbo-boshnjake, që mori më shumë se 11 mijë jetë njerëzish, transmeton Tch.
“Duhej shumë guxim dhe humanizëm të vije në një qytet të shkatërruar dhe rrethuar si Sarajeva në 1994, të thoje jo dhe të flisje për ndaljen e luftës më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Igor Gavriq, shef i Këshillit Bashkiak të qytetit.
“Koncerti i bëri njerëzit e qytetit të besonin se ata dhe Sarajeva do të mbijetonin”, thuhej në motivim.
“Ne nuk mund të ndalonim luftën, por ajo që bëmë është që i lehtësuam njerëzit me faktin që ishim atje dhe këtë mund ta bëjnë të gjithë muzikantët. Janë politikanët, ushtritë dhe gjeneralët ata që ndalin luftërat. Muzika i flet njerëzve dhe i bën ata të ndjehen më mirë për jetët e tyre, në momente të caktuara”, tha Dickinson.
Gjeneratat e reja e kanë zbuluar koncertin përmes një dokumentari të kohëve të fundit, “Scream for Me Sarajevo” me titullin e marrë nga një thirrje e Dickinson para audiencës. / KultPlus.com