20 Prill, 2025 - 10:40 pm
Këngëtarja e njohur shqiptare, Arilena Ara, gjendet në fazën finale të projektit të saj më të ri “Weightless”, i cili vjen në bashkëpunim me Diane Warren, një nga tekstshkrueset më të njohura të historisë së muzikës botërore, shkruan KultPlus.
Këngëtarja Ara përmes një entuziazmi të paparë ka ndarë lajmin me ndjekësit e saj në “Facebook”, për punën e saj shumë vjeçare.
“Pafund e emocionuar që po ndaj me ju kapitullin më të rëndësishëm të karrierës sime.
Shumë vite pune, më në fund po finalizohen.
Kënga ime më e re, bashkëpunimi me @dianewarren, një nga songwriters më të mëdha që ka njohur historia e muzikës botërore!”, ka shkruar Arilena Ara.
Arilena Ara është një këngëtare shqiptar, e cila fitoi famë me fitoren në sezonin e dytë të garës për talentë “X Factor Albania”. Ajo mori pjesë në edicionin e 18-të të Këngës Magjike dhe doli në vendin e tretë me këngën “Nëntori”. Në vitin 2019, ajo fitoi Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH dhe me këngën “Fall from the Sky”, me të cilën do ta përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës 2020 në Roterdam, Holandë, por festivali u anulua./ KultPlus.com