8 Prill, 2021 - 9:29 pm
Pesë vjet pas zhdukjes së Prince, eksplorimi i arkës së thesarit të tij vazhdon me një album të papublikuar, “Welcome 2 America”, i planifikuar të lëshohet më 30 korrik, njoftoi sot Legacy Recordings, transmeton KultPlus.
Titulli do të shpërndahet në platformat e transmetimit nga sot. Tashmë mund ta dëgjoni Prince duke deklaruar, duke folur dhe kënduar se Amerika është “vendi i lirisë (por edhe) një shtëpi për skllavin”.
Albumi, që daton nga viti 2010, është marrë nga “The Vault”, kasaforta legjendare e “Kid of Minneapolis”, që ndodhet në pronën e tij studio në Paisley Park.
Është një shpellë fantazish, ku fle një numër i papërcaktuar pjesësh muzikore (demo, albume të përfunduara ose jo, regjistrime të drejtpërdrejta, bashkëpunime etj.).
Prince, i cili vdiq më 21 prill 2016 në moshën 57-vjeçare, e mbajti gjallë me mjeshtëri legjendën rreth thesareve të tij të fshehura, përmes deklaratave të tij të vagëta për shtypin.
“Nuk u kam dhënë gjithmonë këngët më të mira studiove muzikore. Ka këngë te Kasaforta që askush nuk i ka dëgjuar ndonjëherë (…) plot gjëra të regjistruara gjatë periudhave të ndryshme”, tha ai për revistën “Rolling Stone” në 2014.
Për të hedhur pak dritë mbi temën e albumit “Welcome 2 America” dhe për t’i mbajtur pezull fansat, Legacy Recordings lëshoi një deklaratë profetike nga Prince në 2010: “Bota po lodhet nga dezinformimi. Vizioni i George Orwell për të ardhmen është këtu. Ne ia kemi borxh vetes që të qëndrojmë të palëkundur në besimin tonë, gjatë kohrave të vështira që na presin”.
Varianti luksoz do të përfshijë albumin dhe një koncert të plotë të papublikuar të Prince, i shoqëruar nga grupi i tij i famshëm, New Power Generation, i interpretuar në Forumin në Los Anxhelos më 28 prill 2011. / KultPlus.com