4 Gusht, 2022 - 11:00 pm
Këngëtarja, Willow Smith, e ka paralajmëruar lansimin e albumit të saj të ri me titull, “COPINGMECHANISM”.
E njohur nga publiku mbarëbotëror si vajza e yjeve të kinematografisë, Jada Pinkett dhe Will Smith, këngëtarja e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ta paralajmëruar projektin e ri, i cili do të publikohet më 23 shtator dhe vjen pas albumit të vitit të kaluar, “Lately I Feel Everything”.
Po ashtu, sonte lansohet kënga e re me titull, “Hover Like a Goddess”.
Albumi i kaluar i Willow, “Lately I Feel Everything”, doli në shitje në korrik të vitit 2021 dhe përfshinte artistë mysafirë të tillë si, Travis Barker, Tierra Whack, Avril Lavigne dhe të tjerë.
Nga atëherë, këngëtarja është fokusuar më shumë në publikimin e bashkëpunimeve. Në muajin shkurt, ajo i bashkoi forcat me yllin Machine Gun Kelly, në publikimin e këngës “Emo Girl” të cilën edhe e interpretuan së bashku në emisionin, “The Late Late Show”.
Në muajin prill, Smith bashkëpunoi me artisten Siiickbrain për hitin “Purge”, të cilin e publikoi me videoklip. Disa javë më vonë erdhi edhe bashkëpunimi me këngëtaren latine, Camila Cabello. Kënga “Psychofreak” ishte pjesë e albumit të Cabellos, “Familia”, dhe dy këngëtaret e interpretuan atë live në skenë në kuadër të emisionit, “Saturday Night Live”.
Në qershor të këtij viti, Smith e lansoi një këngë të re të titulluar, “Maybe it’s my fault”, e cila i kombinonte tingujt e pop-punk, që e kryesonin albumin e saj të fundit, me tingujt pak më të rëndë të muzikës metal./koha/ KultPlus.com