29 Tetor, 2022 - 12:00 pm
Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor është çelur mbrëmjen e djeshme me “Balet Preljocaj” nga Parisi me koreografi të Angelin Preljocaj në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet në një postim në rrjetet sociale se “Winterreise”, pikëtakimi mes muzikës së Schubert-it dhe koreografisë nga artisti Angjelin Preljocaj ngriti siparin e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor”.
“Zemra plot që skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit pret vepra të një niveli sipëror”, thekson ministrja.
Winterreise që do ngjitet edhe mbrëmjen e sotme në skenën e TKOB-së është një balet që mban titullin origjinal të ciklit më të famshëm Lieder të Franz Schubert, pas imazheve të përmbledhura nga poema e Wilhelm Müller: impresionizmi i saj romantik, emocionet dhe ndjenjat që përcjell.
Baza e saj dramatike dhe koreografike është ideja e një akti të gjatë vetëvrasjeje në lëvizje të ngadaltë.
Festivali Ndërkombëtar i Dancit Bashkëkohor do të vijojë në datat 31 tetor dhe 1 nëntor me trupën nga Berlini me koreografi të Blenard Azizaj.
Ndërsa në datat 3 dhe 4 nëntor do të ngjitet trupa nga Vjena me koreografi nga Eno Peci, koreografi nga Gentian Doda dhe koreografi nga Angelin Preljocaj me trupë nga Teatri i Operas dhe Baletit./atsh/ KultPlus.com