12 Maj, 2019 - 3:30 pm
Muzika mbaroi dhe ky moment i dha fund ekzekutimit të instrumentistëve. Duartrokitjet vazhduan gjatë për vlerësim e kënaqësi, por edhe për të treguar që ajo që ndoqën dhe panë ishte një festë muzikore.
“I rrallë. Një kuartet çelosh. Një ansambël i vërtetë”. Kështu e vlerëson organizatori i “Different Festival”, Vlorent Xhafaj i cili e sjell këtë event për të disatin vit.
Në shqipen e tij të pastër ndihet aksenti francez, pasi ka mbi 20 vjet që jeton e punon aty.
Vlorenti filloi mësimet e violonçelit në moshën 6 vjeçare. Pa ndonjë dëshirë të madhe por si një detyrim prindëror për t’i dhënë më shumë kulturë. Sistematik dhe serioz derisa familja e tij vjen në Tiranë për të shfaqur talentin e vërtetë nën drejtimin e pedagogut Xhovalin Lazëri.
Vlorenti shpreh se ishte insistimi i pedagogut Lazëri, i cili me përkushtim dhe besimplotë te talenti i tij zhvillonte një mësim sistematik të përditshëm individual me të. Në moshën 16-vjeçare ai shkon në Paris, ende pa mbaruar gjimnazin i vendosur për të studiuar në Konservatorin e Parisit.
Koncerte të ndryshme ka zhvilluar violonçelisti Xhafaj në qytete të ndryshme të botës si Australi, Belgjik, Zvicër por sërish atdheu i tij i dytë mbetet Franca, pasi ka mbi 20 vjet që jeton aty dhe është shumë i afërt me muzikën dhe kulturën e atij vendi.
”Different Train Festival”, erdhi si dëshirë e disa miqve që donin të luanin bashkë, dhe në vitin 2012 Vlorent Xhafa, së bashku me Tedi Papavramin, Kladi Saraçin, Dorjan Gjogjin vendosën të vinin në Shqipëri për të luajtur për publikun shqiptar, e pas këtij suksesi violonçelisti shqiptar me famë ndërkombëtare, rikthehet sërish në Tiranë me tre koncerte. Pas koncertit “Udhëtim në Itali’ me pianistin Maurizio Baglini, në skenën e Universitetit të Arteve artisti luajti së bashku me pianistin Zamir Kabo dhe klarinetistin e njohur gjerman Fabian Dirr.
Dëshira për të sjellë art në Shqipëri është arsyeja e këtij eventi “Different Train”.
Muzika thotë Xhafaj është art i gjallë dhe ajo lëviz përmes instrumentistëve kudo. Prandaj ka sjellë shumë muzikantë të shquar shqiptarë e bashkë me ta veç qyteteve do të luajnë edhe në kisha e katedrale Bahun, e kompozitorë të tjerë të bindur se muzika e tyre tingëllon bukur edhe në objektet e kultit shqiptar. /j.p/ KultPlus.com