Xhakomo Puçini, një i ri harrakat dhe i padisiplinuar, që u bë një nga kompozitorët më të mëdhenj të kapërcyellit të dy shekujve

29 Nëntor, 2023 - 3:30 pm

Nga Albert Vataj

Vetëm ata që ishin pranë tij dhe u morën me të, vetëm ata mund të kishin diçka për të thënë për këtë gjeni të operas, për këtë nopran, i pabindur, josistematik dhe me interesa periferike për të nxënë. Por kjo nuk i stepi vullnetmirët që kishin besim te talenti i tij, ta nxirrnin atë nga zakonshmëria e një të riu, për ta ngjitur në podin e famës.

Xhakomo Puçini u lind Luka, të Italisë më 22 dhjetor 1858. Konsiderohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fundshekullit të 19 dhe të fillimshekullit të 20. Operat e tij më të njohura janë: “La bohème”, “Toska”, dhe “Madama Butterfly”, të cilat janë ndër më të shfaqurat në repertorin standard të artit operistik botëror.

Në karrierën e tij krijuese, Puçini shkroi 14 opera, shumë këngë, të cilat janë të njohura nga publiku mbarëbotëror, veçanërisht aria “Nessun dorma”, nga Turandot, e cila u këndua nga Luciano Pavarotti, në vitin 1990 me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili u zhvillua në Itali.

Puçini erdhi në jetë në një familje me traditë të hershme muzikore. Pas vdekjes së të atit, Mikele Puçini, kur ai ishte vetëm 3 vjeç, u dërgua të studionte me xhaxhain e tij, Fortunato Magi, i cili e mbante atë për një student të keq e të padisiplinuar.

Mësohet e nëna e mjeshtrit të ardhshëm, Albina Magi Puçini edhe pse e vetme për të sfiduar jetën pas humbjes së bashkëshortit, ajo i kushtoi vëmendje veçanërisht mësimeve të muzikës së Puçinit, duke u siguruar që ai të studionte klasike përpara se t’i përkushtohej muzikës. Ajo besonte se një muzikant pa arsim klasik nuk kishte asnjë vlerë.

Duke qenë se Puçini jetonte larg shtëpisë, atij i mungonte shumë familja. Ushqimin e konsideronte të mjerueshëm dhe orët e tij të letërsisë poetike dhe dramatike të mërzitshme. Vëmendja e tij shpesh binte dhe ai nuk punonte në mënyrë sistematike. Filloi të humbiste shpesh mësimet. Megjithatë, Ponchielli vazhdoi ta mentoronte atë, pasi ai e konsideronte atë si studentin e tij më të mirë.

Më vonë, ai hyri si organist në kishë dhe mjeshtër kori, por ai nuk ishte ende i frymëzuar të bëhej kompozitor operash, gjersa pa një shfaqje të Aidës së Xhuzepe Verdit. Ai dhe një shok i tij bënë gati 21 km rrugë në këmbë për të shikuar një shfaqje në Piza.

Episode nga jeta e kompozitorit të shuar italian të operas, Xhakomo Puçini

MBIJETESA E STUDENTIT TE KONSERVATORIT

Vitet që kaloi Xhakomo Puçini në konservatorin e Milanos ishin shumë të vështira.

Kur kujton atë kohë, mjeshtri thoshte se i ndiente ende shqetësimet e stomakut. Për të shpenzuar sa më pak duhej të gatuante vetë ndonjë lloj gjelle, ndonëse e zonja e shtëpisë ku qëndronte me qera, i’a kishte ndaluar çdo lloj gatimi. Shpesh me shumë mundim dhe me sajime të atypëratyshme arrinte të skuqte një vezë. Që të mos dëgjohej zhurma e skuqjes ne tigan, i binte pianos. Në dhomën tjetër e zonja e shtëpisë i thoshte e mallëngjyer: I shkreti djalë, ta këput shpirtin, gjithë ditën rri duke studiuar.

ANKTHI I MJESHTRIT PER TE FOLUR NE PUBLIK

Suksesi i operës “Manon” në Torino ishte i madh. Pas shfaqjes së shtatë personalitetet më të shquara të qytetit dhanë një pritje për nder të mjeshtrit. Puçini e ndiente veten të lumtur, por druhej të mbante një fjalim: gojtaria ishte ankth për kompozitorin e shquar. Megjithatë ai përgatiti një fjalim të shkurtër dhe e shkroi në manshetën e këmishës. Kur u ngrit për të folur e pushtoi pështjellimi, aq sa nuk mundi të shqiptojë asnjë fjalë nga ato që kishte përgatitur. Buzëqeshi dhe belbëzoi me zë të mbytur: – Faleminderit të gjithëve!

Kur po ulej me një lëvizje të krahut rrëzoi për tokë pesë a gjashtë shishe dhe gota.

Ky ishte pagëzimi i operës Manon.

HISTORITE NE RESTORANTIN E ARTISTEVE BORXHLINJE

Gjatë kompozimit të “Bohemës”, Puçini kujton me shumë përmallim restorantin “Excelsior” kur ishte në Milano në vitet 1880- 1890. Ai lokal ishte shpëtimi i të gjithë artistëve që ishin pa para. Usta Xhixhi u jepte të gjithëve të hanin pa paguar. Por kishte rast që ndonjëri paguante menjëherë pasi hante. Kjo ishte një gjë e jashtëzakonshme. Kamerieri kur dorëzonte paratë në arkë i pëshpëriste pronarit në vesh:

– Ai zotëria atje poshtë ka paguar lekët në dorë.

– Dhe ti pranove? – e pyeste usta Xhixhi me ton qortues.

– Po çfarë të bëja? Ai nguli këmbë të paguante me zor! Pronari psherëtinte thellë dhe thoshte:

– Durim, se bota është plot me njerëz origjinalë!

Ai shkoi në kuzhinë për t’i treguar së shoqes me zë të mallëngjyer se ishte një zotëri që kishte dashur të paguante.

– Dua ta vështroj? – thoshte e habitur zonja Terezë dhe afrohej për të parë tipin e çuditshëm.

KOTOLETE DHE VETEM KOTOLET PER PUÇININ

Kur ishte për herë të parë në Vjenë, më 1891, Puçini dinte vetëm katër fjalë gjermanisht. Ditën e parë i bëri shenjë kamerierit me gisht në një rresht të listës së gjellëve ku ishte shkruar -Kotoletë me patate. Në këtë kotoletë atij iu duk se kishte gjetur një gjellë italiane sipas dëshirës së tij. Kjo ishte e mirë po… për drekë e darkë dhe për dhjetë ditë me radhë ai nuk hëngri tjetër veçse kotoletë. Kamarierët nuk e shpjeguan dot këtë parapëlqim të çuditshëm.

QYTETET E EUROPES NE SYTE E KOPOZITORIT

Në çdo qytet të botës Puçini ëndërronte gjithnjë për vendlindjen e tij të vogël. Ja si e shprehte ai mallin për vendlindjen në një letër gjeografike:

“Londra, 6 milionë banorë (që janë me të vërtetë shumë), lëvizje e pafund, skëterrë e papërshkrueshme. Gjuha e vështirë, gra të bukura, shfaqje të shkëlqyera, shpenzime të mëdha. Qytet jo shumë i bukur, por tërheqës.

Parisi, me i bukur dhe i gëzuar dhe me pak lëvizje dhe më pak karakteristik. Jetohet ne mënyrë të shkëlqyeshme. Kam një dëshirë të çmendur që të argëtohem në këtë qytet për dy, tre, katër ose pesë muaj. Kam mik Zolanë. Kush do ta kishte menduar një gjë të tillë për organistin e varfër të Mutilanos.

Mançesteri, vendi i tymit të zi, i të ftohtit të tmerrshëm, i shiut, i pambukut (mjerë ai që nuk vishet me të leshta) dhe i mjegullës. Një ferr i vërtetë! Ditë të tmerrshme.

Brukseli, shtëpi të bukura, pallate, monumente, rrugë të shkëlqyera, por më shumë provincial në krahasim me Londrën dhe Parisin.

Milanoja, vend tepër simpatik, i vetmi në Itali për të jetuar… dhe i nevojshëm për punët e mia. Torre del Lago.) kënaqësi e papërshkrueshme, parajsë e vërtetë…  Banorë 120, shtëpi 12”.

MARIFETET E QERAXHIUT PER TU NGROHUR

Për të siguruar qymyrin për gatimet e tij të fshehta, Puçini bënte një lojë tjetër. Me një valixhe në dorë dilte jashtë.

– Jeni për rrugë zoti Puçini? – i thoshte portierja.

– Po, po shkoj të bëj një shëtitje deri në Monxa21,

– Po e marr edhe valixhen me vete?

– E, po e marr se rrugë është, nuk i dihet.

Kur pas nja treçerek ore, kthehej me valixhen e vogël në dorë, ajo i thoshte:

– Si? U kthyet kaq shpejt?

– Po, për fat të keq më la treni për një minutë.

Pastaj hynte në dhomë, hapte valixhen, nxirrte qymyrin të cilin e blinte në një dyqan shumë larg vendit ku banonte, ne mënyrë që të mos binte në sy.

GJENI QE SFIDOJNE VARFERINE

Kur studionte në Konservatorin e Milanos, Puçini jetonte së bashku me të vëllanë, Mikelin, dhe me një kushëririn e tij.

Që të tre kishin pak para për të harxhuar. Një mik i Puçinit gjeti midis letrave të kompozitorit një fletore që ia dha për të mbajtur shënim shpenzimet. Kjo fletore mbante emrin e veçantë dhe profetik: “Regjistri i shpenzimeve. Rruga e bohemës 1881”. Nën datën një nëntor që ishte ditë feste, i vetmi shpenzim i ditës ishte një peshk i thatë.

– Ishte mëngjesi për ne të tre, – tha Puçini kur e pyetën, – madje për katër sepse siç më kujtohet kishim ftuar edhe një mik atë ditë.

Një harengë e ndarë në katër pjesë, ashtu sikurse tek opera “Bohema”.

PUÇNI DHE ROBAQEPESI

 Të gjitha pjesët qe vuri në skenë, Puçini i provoi më parë në jetë. Në periudhën e jetës studentore, Puçini ishte i lidhur me një rrobaqepëse që bënte kapele, një diçka e tillë si Mimija. Për ta marrë për drekë Puçinit i duhej të linte peng pallton, ashtu sikurse Kolini “mantelin e vjetër”.

ÇASTI I SHUARJES SE MJESHTRIT

Kur Puçini po vdiste, deshi t’i rrinte pranë i biri, Antoni. Atë e kapi fort për dore dhe nuk e lëshoi. I shtrirë në shtrat nguli shikimin përpara sikur shikonte dhe dëgjonte diçka.

Nuk kishte sy të frikësuar, por më shumë të mrekulluar, si sytë e një fëmije që shikon diçka të habitshme. Pastaj dora e tij lëvizi dhe rrëshqiti sikur binte në një tastierë të padukshme për të interpretuar muzikën që i ndiente thellë brenda vetes. / KultPlus.com

Të ngjajshme